Raporti i Monitorimit të Komunës së Prishtinës, Janar-Qershor 2013
26/07/2013Prishtinë, 26 Korrik 2013 – Në kuadër të projektit “Ngritja e Transparencës dhe Llogaridhënies në Komunën e Prishtinës”, mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur-KFOS, INPO përmes një konference për media, publikoj raportin e monitorimit “Komuna e Prishtinës Janar-Qershor 2013”.
Duke u bazuar në monitorimin e komunës së Prishtinës për këtë periudhë kohore nga fillimi i janarit e deri në fund të qershorit të këtij viti, organizata joqeveritare INPO ka nxjerr raportin e titulluar “Komuna e Prishtinës Janar-Qershor 2013”. Ky raport është bazuar në monitorimin e drejtpërdrejt të komunës së Prishtinës. Të dhënat e këtij raporti burojnë nga monitorimi i hulumtuesve të INPO-s, raportet e çdo seance të Kuvendit Komunal, raportet nga Komiteti për Politikë dhe Financa, analiza të projekteve, intervista me drejtor të drejtorive dhe zyrtarë të ndryshëm komunal.
Nga monitorimi i mbledhjeve të kuvendit komunal, INPO vlerëson se legjislativi i komunës së Prishtinës nuk është duke e kontrolluar ekzekutivin e komunës. Kuvendarët e komunës aprovojnë çdo gjë qe vjen nga ekzekutivi dhe asnjëherë nuk ndryshojnë apo kundërshtojnë ndonjë propozimvendim apo çfarëdo që vije nga ana e ekzekutivit. Poashtu edhe opozita është mjaft pasive, duke përjashtuar një numër të vegjël të disa asamblistëve.
Gjatë vitit 2013, Kuvendi i komunës së Prishtinës ka miratuar 30 vendime dhe 2 rregullore. Ky kuvend vazhdon të përballet më cilësi të ulët të diskutimeve në mbledhjet e KK-së, i njëjti problem është evident edhe në mbledhjet e komitetit për politikë dhe financa. Shumë nga kuvendarët nuk debatojnë fare në kuvend, ndaj për këtë gjashtëmujor të vitit 2013, INPO-ja ka evidentuar disa nga kuvendarët më pasiv, si: Rrahman Ismajli (LDK), Rexhep Mustafa (LDK), Premtina Rakovica (LDK), Muhamet Nura (LDK), Sarandë Sadriu (LDK), Vjollca Rizani (LDK), Salih Krasniqi (LDK), Bajram Selimaj (LDK), Agim Krasniqi (LDK), Nexhmije Berisha (LDK), Donika Surdulli (AKR), Sofije Kllokoqi (AKR), Skënder Reqica (PDK), Lumnije Rama (PDK), Meliza Haradinaj (AAK) dhe Engin Beyoglu (KDTP).
Sipas monitorimit të INPO-s, këshilltaret më aktiv në kuvendin komunal të Prishtinës janë: Sadri Ramabaja (Vetëvendosje), Shemsi Veseli (PDK), Tefik Mehmeti (LDK) si dhe Mejreme Berisha (AAK).
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2013, komuna e Prishtinës ka vazhduar projektet të cilat janë bartur nga viti 2012. Komuna ka filluar edhe disa projekte, të cilat janë paraparë me buxhetin e vitit 2013. Projektet e filluara janë nga fusha të ndryshme duke përfshirë infrastrukturën rrugore, asfaltimin e rrugëve në disa lagje të komunës së Prishtinës, gjelbërimin e disa hapësirave të qytetit, si dhe investime të tjera kapitale.
Edhe përkundër këtyre punëve të cilat po i bën komuna e Prishtinës në këto fusha, në shumë aspekte të tjera nuk ka arritur të bëjë ndryshime dhe situata thuajse është e njëjtë nga ajo paraprake.
INPO-ja vlerëson se komuna e Prishtinës ende po përballet me probleme të natyrave të ndryshme. Ndër problemet më të cilat ballafaqohet ekzekutivi, që në këtë rast përbehet nga kryetari dhe drejtorët e drejtorive, janë pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në vendimmarrje, menaxhimi jo i mirë i buxhetit (deri më 31 mars 2013 ka shpenzuar vetëm 10%), nivel i ulët i transparencës për punën e kryetarit apo shërbime publike që nuk i përmbushin kërkesat e qytetarëve.
Komuna e Prishtinës, do këtë përsëri problem me ekzekutim të buxhetit. Deri më 31 mars të këtij viti, komuna ka shpenzuar vetëm 10% të buxhetit dhe kjo përqindje tregon më se miri sesa komuna nuk po angazhohet për zgjidhjen e problemeve me të cilat përballet prej një kohe të gjatë. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore, për gjashtëmujorin e parë, komuna ka shpenzuar 33% të buxhetit komunal. INPO-ja shqetësimin më të madh e sheh tek kategoria e investimeve kapitale, sepse deri më tani është shpenzuar vetëm 18% e buxhetit, ndaj rezulton se kësaj kategorie buxhetore nuk po i kushtohet vëmendje e duhur.
Ndër problemet të cilat INPO-ja i ka evidentuar gjatë vitit 2013, janë: kaosi në trafik, mirëmbajtja e banesave kolektive, problemi me ujërat e zeza, mungesa e çerdheve (komuna të gjej zgjidhje me MASHT-in për të punësuar edukatorët), Mos-efikasitetin e Trafiku Urban dhe Mungesa e Nënkalimeve dhe Mbikalimeve. Për këto probleme, INPO-ja ka kërkuar nga komuna zgjidhjen në një periudhë afatshkurtër, ngase janë jetike për qytetarët.
Arsimi në komunën e Prishtinës, ka shënuar ngritje në infrastrukturë me ndërtimin e disa shkollave. Mirëpo, problem serioz ka mbetur cilësia, mungesat e shumta të nxënësve, siguria si dhe mungesa e çerdheve publike. INPO-ja kërkon nga komuna që t’i kushtoj vëmendje të madhe cilësisë së mësimdhënies dhe nivelit të sigurisë në shkolla.
Komuna e Prishtinës përkundër progresit të arritur në transparencë, ende nuk ka arritur nivel e duhur në zbatimin e parimeve demokratike. Kjo për faktin se Komuna e Prishtinës ka mungesë të transparencës në: shpenzimet e buxhetit, puna e kryetarit, azhurnimi i uebfaqes, qasja në dokumente publike, vështirësi në takimet me drejtorët, si dhe pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje.
Kryetari Mustafa nuk posedon plan për transparencë, ashtu siç parashihet në Udhëzimin Administrativ nr.2008/09 për Transparencën në Komuna. Uebfaqja e komunës së Prishtinës nuk azhurnohet me të dhëna për ngjarjet dhe veprimet që ndodhin në komunë. Në këtë uebfaqe nuk publikohen vendimet të cilat i merr kuvendi komunal, kryetari, raportet etj. Komuna ende nuk e ka publikuar në uebfaqen e saj raportin e punës të vitit 2012.
INPO për këtë periudhë kohore ka bërë 7 kërkesa për qasje në dokumente publike komunës së Prishtinës, prej këtyre kërkesave, komuna nuk iu është përgjigjur INPO-s në 4 kërkesa. Ky është edhe një indikator që komuna e Prishtinës nuk transparente në nivelin e dëshirueshëm.