Raporti i Monitorimit “Qeverisja Lokale” në Kaçanik, Shtime, Han i Elezit Janar – Dhjetor 2011

17/04/2012

Iniciativa për Progres (INPO) publikon raportin “Qeverisja Lokale në Kaçanik, Shtime, Hani i Elezit” bazuar në monitorimin e këtyre tri komunave gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2011. Monitorimi është fokusuar në Asamblenë Komunale dhe Ekzekutivin e Komunës.

Shikuar në aspektin krahasues qeverisja në tri komunat më të vogla të rajonit ka shënuar rezultate por edhe është përcjellë me lëshime të mëdha që lënë shumë për t’u dëshiruar në aspektin e avancimit të qeverisjes demokratike.

INPO qeverisjen e Kryetari të Komunës së Kacanikut, gjatë kësaj periudhe raportuese, e vlerëson si një periudhë ku nuk janë promovuar rregullat e qeverisjes së mirë, respektimit të ligjit dhe mungesës së përgjegjësisë për veprimet e ndërmarra. Është shumë shqetësues dënimi i kryetarit të Komunës për vepra penale, marrja e vendimeve kundër-ligjore dhe personale, dhe veprime tjera jo-demokratike.

Po ashtu, INPO e vlerëson shumë shqetësuese edhe vendimet arbitrare dhe kundërligjore të Kryetarit të Komunës, vendime të cilat i ndërmerr për inate personale. Një vendim i tillë ka qenë pezullimi i Këshillit Komunal të Sigurisë së Bashkësisë të cilin vendosi ta pezulloj për shkak të problemeve dhe mungesës së bashkëpunimit mes Komunës dhe stacionit të Policisë. Në këtë kontekst duhet përmendur se opozita nuk është duke e luajtur rolin e vetë të cilin e ka dhe me të cilin mund të kontribuoj në përmirësimin e jetës së qytetarëve kaçanikas.

Ndërkaq një atmosferë tjetër punë është hasur në komunën e Shtimes. Edhe puna e kryetarit Ismaili, por edhe këshilltarëve komunal është më angazhuese më transparente, por edhe më e frytshme. Por, si mangësi të punës në Kuvend komunal të Shtimes, INPO vlerëson mungesën e vizionit dhe plan-programeve të qarta mbi synimet e këshilltarëve. Kjo , mbase është si shkak i mungesës së profilizimit të partive politike dhe mungesës së një filozofie qeverisëse.

Në anën tjetër në komunën e Hanit të Elezit vërehet një entuziazëm më i madh fillestar. Shih për këtë INPO vlerëson se gjatë vitit 2011 Komuna e Hanit të Elezit ka paraqitur një shembull të suksesit lidhur me transparencën dhe llogaridhënien, bashkëpunimin me qytetarë dhe mbrojtjen e interesave të tyre. Tetë takime (dëgjime, debate) publike me qytetarë janë mbajtur gjatë vitit 2011 në Komunën e Hanit të Elezit, në të cilat janë diskutuar plane rregullative për qytetin, rregullore për bursa për studentë dhe çështje tjera me rëndësi, gjithashtu edhe dy debate plus Kryetari i Komunës i ka organizuar me qytetarë.

Pas monitorimit të vazhdueshëm të mbledhjeve të kuvendit të Hanit të Elezit, gjatë vitit 2011, kemi konstatuar që tre këshilltarë nuk i vijojnë rregullisht këto mbledhje dhe ndaj tyre Kryesuesi i Kuvendit, nuk ka marr asnjë masë ndëshkimore, duke mos i raportuar ne KQZ. Edhe formimi i dy Drejtorive të reja është përcjellë me kontestime edhe pse pritet të rritet numri i të punësuarve në administratë pasi që kjo komunë ende nuk e ka shfrytëzuar kuotën e lejueshme të të punësuarve në administratë e cila sipas udhëzimeve të Qeverisë së Kosovës duhet së paku të jetë 55 për ndonjë komunë.

Për mënyrat e harxhimeve të buxheteve mund të thuhet se buxhetet e vogla të këtyre komunave kryesisht harxhohen për paga dhe mëditje, kurse mjetet e vogla vetanake qofshin ato për investime apo edhe subvencione kryesisht janë harxhuar për rregullimin e infrastrukturës.