Raporti i monitorimit “Komuna e Prishtinës, Janar-Qershor 2012”

02/08/2012

Prishtinë, 02 Gusht 2012 – Iniciativa për progres (INPO) ka hartuar këtë raport duke u bazuar në monitorimin e punës së komunës së Prishtinës për periudhën Janar – Qershor 2012. Monitorimi i INPO-s është gjithëpërfshirës dhe fokus kryesor ka Kuvendin Komunal dhe Ekzekutivin e Komunës. E tërë përmbajtja e këtij raporti është e bazuar në monitorimin e drejtpërdrejt nga zyrtarët e organizatës, raportet e monitorimit gjatë mbajtjes së mbledhjeve të komitetit për politike dhe financa, mbledhjet e asamblesë komunale, intervistat me drejtorët e drejtorive, takime më zyrtarë të ndryshëm komunal, analiza të funksionimit të projekteve brenda komunës, si dhe analiza të dokumenteve zyrtare të Komunës së Prishtinës dhe shkresave zyrtare nga ana e komunës.

INPO vlerëson se menaxhmenti i cili udhëheq me qeverisjen e komunës së Prishtinës ka disa rezultate të mira dhe të arritura në disa fusha. Mirëpo edhe sa i përket këtyre të rezultateve, INPO ka hasur në parregullsi dhe sfidat të mëdha ne punën e komunës së Prishtinës, sepse komuna e Prishtinës po përballet më probleme të ndryshme si: më mos përmbushjen e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve, pjesëmarrjen e ulët të qytetarëve në vendimmarrjen, menaxhim jo të mirë më buxhetin dhe nivel jo të lartë të transparencës dhe llogaridhënies.

Komuna e Prishtinës që në fillim të vitit 2012 ka pasur probleme të mëdha më të reshurat e borës, ku nga këto të reshura janë sjellë probleme të mëdha në kryeqytet dhe fshatra. Komuna ka kontraktuar tri kompani për mirëmbajtjen dhe pastrimin e rrugëve. Edhe pse këto kompani janë paguar nga komuna, mjete të qytetarëve si taksapagues, këto kompani nuk kanë arritur të pastrojnë rrugët dhe disa fshatra dhe rrugë kanë qenë të bllokuara më ditë të tëra. Kjo vë në pa se Komuna e Prishtinës duhet të forcoj mbikëqyrjen e kontratave publike.

Nga të gjeturat më kryesore të INPO-s është edhe ky fakt, ku Kryetari i komunës së Prishtinës nuk e ka respektuar Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive-LMFPP apo saktësisht nenin 45 të këtij ligji. Ku në këtë nen pika 45.4 sqaron: Kryetari i komunës duhet të përgatitë dhe t’i dorëzojë kuvendit komunal raporte tremujore të cilat mbulojnë vitin fiskal deri në fund të tremujorit i cili sapo ka përfunduar.
Komuna e Prishtinës nuk ka performancë të mirë buxhetore, njëherit nuk po bën as përmirësime në këtë drejtim. Komuna e Prishtinës për vitin 2012 ka miratuar një buxhet në vlerë prej 61,741,684 euro dhe në fillim të vitit 2012 janë bartur edhe rreth 17 milionë të mbetura nga vitit 2011. Kjo shumë nënkupton që komuna nuk po menaxhon mirë me buxhetin. Edhe sa i përket shpenzimeve deri më tani, komuna ka shpenzuar vetëm 22.65%.

Komuna e Prishtinës ka projektuar ndryshime të mëdha buxhetore me procesin e rishikimit të buxhetit në së paku gjashtë sektorë të saj, duke hequr shuma të mëdha parash nga njëra linjë buxhetore dhe duke i transferuar ato në destinacione të tjera. Ku janë marr mjete nga shumë projekte që janë me rëndësi, e janë bartur për ndërtimin e sheshit “Zahir Pajaziti”.

Raportimi i Ndërmarrjeve Publike Komunale ka qenë vetëm një raportim sa për të përmbushur detyrimet ligjore. Raportet të cilat këto ndërmarrje i kanë hartuar dhe që i kanë prezantuar në kuvendin komunal janë raporte të cilat nuk i plotësojnë as kriteret bazë për një raport. Në këto raporte nuk janë paraqitur në mënyrë të qartë zhvillimi, sfidat dhe sukseset e këtyre ndërmarrjeve publike në komunën e Prishtinës. Raportet nuk janë bazuar në zhvillimet e punëve reale të Ndërmarrjeve Publike Komunale. Raportet që u janë prezantuar asamblistëve të Prishtinës, po thuajse janë përshkrime identike të raporteve të viteve të kaluara.
Drejtoria e Urbanizmit, Ndërtimit dhe Mbrojtjes së Mjedisit e ka filluar këtë vit si asnjëherë më parë. Ardhja e drejtorit të ri z. Musliut në krye të kësaj drejtorie ka ndikuar pozitivisht duke qartësuar punët dhe planet e kësaj drejtorie, fushë e cila për vite të tëra ka qenë qendër të vëmendjes për problemet e ndryshme. Mirëpo edhe për kundër një starti të mirë sa i përket aktivizimit në punë, prapë në këtë sektorë vërehen probleme të mëdha.

Sidomos me ndërtimet e egra, dëshmi se ndërtimet e egra në qytetin e Prishtinës po ndodhin gjithë andej, është numri shumë i madh i ndërtimeve ilegale. Ku sipas të dhënave, vetëm nga korriku i vitit 2010 deri në fund të dhjetorit të vitit 2011, në territorin e Prishtinës kanë nisur të ndërtohen pa leje ndërtimi mbi 500 objekte të reja, 380 prej tyre vetëm në vitin 2011, ndërkaq trend përafërsisht i njëjtë po vazhdon edhe në këtë pjesë të parë të vitit 2012. Ndërkaq një ndër premtimet e shumta që i kishte dhënë Kryetari i komunës së Prishtinës z. Isa Mustafa ishte edhe ai se asnjë objekt nuk do të legalizohet, po qe se nuk ka aplikuar për legalizim dhe po qe se objekti i tij nuk ndodhet në Imazhin satelitor të datës 19 gusht 2010.

INPO i ka përcjellur të gjitha takimet me qytetar që i ka organizuar komuna për këtë gjashtë mujor. Në përgjithësi takimet i vlerësojmë të rregullta, mirëpo INPO bën thirrje që brengat, rekomandimet e qytetarëve të shprehura gjatë kësaj periudhe të përfshihen në agjendën punuese të komunës së Prishtinës. Vlerësojmë se komuna e Prishtinës duhet të jetë gatshme për një komunikim dy kahor me qytetar ku rekomandimet e tyre duhet të merren parasysh. Në shumtën e takimeve është vërejtur edhe numrin i madh i militantëve partiak.

Komuna e Prishtinës ka gjithsej 33 bashkësi lokale. Njëzet këshilla lokale janë të shtrira në qytet kurse trembëdhjetë janë të përqendruara në fshatrat e komunës. Bazuar në përgjegjësit dhe rëndësinë që kanë bashkësitë lokale në funksionimin e mirë të qeverisjes lokale në komunën e Prishtinës, INPO shpreh shqetësimin e saj për gjendjen jo të mirë të infrastrukturës së bashkësive lokale.

Iniciativa për progres edhe gjatë gjashtë mujorit të parë të vitit 2012 ka përcjell me vëmendje mbledhjet e asamblesë komunale në Prishtinë. Është shqetësuese fakti se shumë nga vërejtjet tona të adresuara më parë ndaj kuvendit komunal në Prishtinë janë akoma evidente. Duhet theksuar se kuvendi nuk ka shënuar progres në përmirësimin e përformancës dhe kualitetit të punës. Problem shqetësues mbetet akoma niveli i ulët i debatit dhe diskutimeve në asamble.

Dy parimet prej më të rëndësishmëve të demokracisë, transparenca dhe llogaridhënia sigurojnë se institucionet publike duhet të përmbushin obligimet e tyre në bashkëpunim sa më të afërt me qytetarët dhe në kuadër të rregullave të parapara ligjore. Këto parime dhe rregulla ligjore përfshijnë informimin e qytetarëve për punën, krijimin e mekanizmave për kontroll të punës nga qytetarët, shoqëria civile dhe media, përfshirje e qytetarëve në vendimmarrje dhe të tjera. Respektimi i këtyre parimeve është kërkesë fundamentale për institucionet publike, dhe shërben si njësi matëse për nivelin e demokracisë dhe progresin e arritur.

INPO gjatë monitorimit të kësaj periudhe kohore, konstaton së komuna e Prishtinës ka arritur një progres nivel të ngritjes së transparencës dhe llogaridhënies. Si progres INPO konsideron hapjen e sporteleve për çdo drejtori dhe ndërrimin e zëdhënësit të komunës. Mirëpo edhe pse është arritur ky progres nga ana e komunës, organizata jonë nuk është shumë e kënaqur, sepse komuna e Prishtinës nuk e ka arritur akoma nivelin e duhur të transparencës dhe llogaridhënies e një institucioni publik më të madh në Republikën e Kosovës për Vetëqeverisje Lokale.

Ndërsa Komuna vazhdon të këtë probleme me zbatimin e Ligji për Qasje në Dokumente Zyrtare, INPO për këtë periudhë gjashtë mujore ka bërë gjithsej 15 kërkesa në komunën e Prishtinës. Ku prej këtyre kërkesave të cilat i ka bërë INPO kanë qenë dokumente të cilat në kushtet normale të zbatimit të demokracisë, duhet të ishin të publikuara në ueb-faqen e komunës. Nga 15 kërkesat të cilat i kemi bërë vetëm 6 kërkesa komuna e Prishtinës na është përgjigjur pozitivisht. Ku prej tyre në disa kërkesa edhe nuk kemi pasur përgjigje të plota.

Një prej problemeve më të cilat përballen më se shumti qytetarët e Prishtinës është ajo e mungesës së çerdheve. Organizata INPO mungesën e çerdheve e cilëson si një ndër problemet më të mëdha në komunën e Prishtinës. Edhe pse ne ndajmë një mendim të tillë rreth këtij problemi, komuna nuk po punon në këtë drejtim.

Rekomandimet
Të dhënat e monitorimit tregojnë për probleme të ndryshme në komunën dhe asamblenë e Prishtinës, dhe për ti zgjidhur ato në mënyrën sa më të letë ne rekomandojmë:
Për Kryetarin e Komunës:

1. Që ti përmbush premtimet të cilat i ka dhënë qytetarëve të Komunës së Prishtinës.
2. Që ti respektoj afatet ligjor për raportim në Asamblenë Komunale
3. Që të planifikoj dhe kontrolloj në mënyrë më efikase shpenzimet e Komunës së Prishtinës, që duhet të jenë në përputhshmëri më strategjinë dhe planin e Komunës së Prishtinës.
4. Që të ngritët niveli i inkasimit i të hyrave vetjake dhe pastaj ato të shpenzohen në projekte inovative që stimulojnë tregun dhe punësimin
5. Të zbatoj përgjegjësinë ligjore që ka komuna e Prishtinës kundrejt ndërmarrjeve publike për të cilat konstatohet keq-menaxhim nga auditori i brendshëm apo ai gjeneral.
6. Që t’i mbikëqyr kontratat publike dhe në rast se operatorët ekonomik nuk i zbatojnë ato të ndëshkohen duke kërkuar edhe llogari përmes rrugëve ligjore, sidomos në kontrata që komuna beson se janë dëmtuar nga operatorët ekonomik.
7. Të kërkoj nga zyrtarët komunale që t’i respektojnë rregulloret dhe ligjet në fuqi që sigurojnë transparencë. Në theks të veçantë ligjin për qasje në dokumente publike.
8. Të hartoj politika që janë në interes të zhvillimit lokal ekonomik duke u fokusuar në hapjen e vendeve të reja të punës.
9. Të zbatohen planet rregulluese të Komunës së Prishtinës, duke luftuar ndërtimet e egra dhe duke ndërtuar një infrastrukturë me cilësi të lartë.
10. Procesi i legalizimit të ndërtimeve duhet t’i plotësoj kriteret e sigurisë dhe duhet të jenë në përputhje me planifikimet e më hershme që dalin nga drejtoria e Urbanizmit
11. T’i përkrah bashkësitë lokale
12. Të fuqizoj segmentin e llogaridhënies përmes komunikimit të dyanshme me qytetarët. Ueb-faqja e komunës të shërbej si baze e informimit duke ofruar gjitha dokumentet publike në të.
13. Të krijohet zyra për komunitete që mundëson që komunitetet të jenë një adresë të caktuar për problemet e tyre që ndërlidhen me kombësinë ose gjuhën.
14. Ekzekutivi duhet t’iu përgjigjet kërkesave për informacion shtesë që vijnë nga asambleja.

Për Kuvendin dhe Kryesuesin e Kuvendit :

1. Që materialet e kuvendit dhe KPF-së të jenë në disponim edhe të medieve dhe organizatave jo-qeveritare vendore.
2. Që të ngritët niveli i diskutimeve në asamble duke lenë anash retoriken politike.
3. Opozita duhet të jetë me e organizuar pavarësisht numrit që kanë në asamble.
4. Pozita duhet parimisht të kryej funksion që e ka asambleja e jo që ti shërbej interesave të ekzekutivit.
5. Dokumentet me rendësi që diskutohen në asamble të bëhen së bashku më transkriptet e diskutimeve publike në ueb-faqen e Komunës.