Qeveria mban kryeqytetin e paligjshëm

03/07/2013

“INPO i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, që sa më parë të procedoj projekt-ligjin për Prishtinën në Kuvendin e Kosovës dhe që përfundimisht të aprovohet Ligjin për Prishtinën në Kuvendin e Kosovës”

Prishtinë, 03 Korrik 2013 – INPO shpreh shqetësimin e saj për mos miratimin e Ligjit për Kryeqytetin nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Tashmë kemi hyrë në vitin e gjashtë që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe jetësimit të Kushtetutës së Kosovës. Me 15 Prill të vitit 2008 në miratimin e Kushtetutës së Kosovës, është përcaktuar se Prishtina do të jetë kryeqytet i Republikës së Kosovës, dhe se Prishtina do të organizohet dhe funksionoj më një ligj të veçantë.

Për më tepër Neni 13 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se “Statusi dhe organizimi i kryeqytetit rregullohet me ligj”, ndërsa neni 2.2 i ligjit për vetëqeverisje lokale përcakton se “Qyteti i Prishtinës, si kryeqytet i Republikës së Kosovës do të qeveriset përmes një ligji të ri për Qytetin e Prishtinës “.

Edhe pse kanë kaluar pesë vite që nga ajo kohë, Prishtina në mungesë të ligjit për Prishtinën akoma vazhdon të funksionoj me ligjin për vetëqeverisje lokale, ku duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës, Prishtina është kryeqytet jo ligjor.

INPO konsideron se Qeveria e Kosovës është duke bërë shkelje te Kushtetutës me mos dërgimin e këtij Ligji në Kuvendin e Kosovës.

INPO konsideron se Prishtina ka nevojë imediate për një ligj të tillë, në mënyrë që të ketë rregulluar statusin e saj ligjor dhe që të ushtroj në tërësi funksionet e saj si kryeqendër e Republikës së Kosovës. Prandaj, politizimi i këtij procesi shkon në dëm të komunës së Prishtinës, qytetarëve të saj, procesit të ndërtimit të mirëfilltë të institucioneve dhe funksionimit të demokracisë në vend.

INPO ka bërë një shkresë Qeverisë së Kosovës, ku ka kërkuar sqarim lidhur me ngecjet e procedurave për procedim, për mos aprovim të ligjit për Prishtinën dhe të dihet se cili është statusi i këtij ligji. Mirëpo, Qeveria e Kosovës nuk iu është përgjigjur shkresës së INPO-së.

INPO do të vazhdoj edhe me tej t’i ndjekë veprimet të cilat duhet të ndërmerren deri në aprovimin e ligjit për Prishtinën. Sepse Ligji për kryeqytetin i siguron Prishtinës edhe benifite të tjera si grantin qeveritar të veçantë për kryeqytetin, kompetenca për zhvillimin e zonës metropolitane, menaxhimin me objektet dhe terrenet sportive si dhe do të ndikonte në përmirësimin e sektorit të shëndetësisë në komunë(spitalin e qytetit) etj.

Qeveria e Kosovës më 23 Prill 2009 ka aprovuar ligjin për Prishtinën, që prej asaj kohe ky ligj nuk ka vazhduar edhe më tej, ku ende nuk ka arritur për miratim në kuvend të Kosovës. Po të kishte Prishtina ligjin e saj, do të kishte një grant shtesë prej 4% e grantit total të komunave për secilin vit fiskal, ku komuna e Prishtinës do të kishte mundësi më të mëdha që këto mjete t’i angazhonte për projekte kapitale dhe shërbime më të mira publike për qytetarët.

INPO i bën thirrje Qeverisë së Kosovës, që sa më parë të procedojnë Ligjin për Prishtinën në Kuvendin e Kosovës dhe që përfundimisht të aprovohet Ligjin për Prishtinën në Kuvendin e Kosovës.