Performansë jo e mirë e Komunës së Prishtinës gjatë muajve të verës
22/07/2011Iniciativa për Progres (INPO) shpreh shqetësimin e saj lidhur me performancën jo të mirë të Komunës së Prishtinës në ofrimin e shërbimeve dhe realizimin e projekteve dhe objektivave gjatë muajve të verës. Kjo matje e performansës është krahasimi i punës së komunës gjatë verës dhe periudhave tjera kohore dhe nuk është krahasim me standarde tjera. Kjo rënie në intensitetin e punës gjatë kësaj periudhe është vërejtur edhe në vitet tjera dhe si duket është shëndërruar në një praktikë, e cila praktikë nuk duhet të jetë cilësi e institucioneve publike.
Faktorët të cilët po ndikojnë në këtë rënie të intensitetit të punës përfshijnë rritjen e kërkesave të qytetarëve për shërbime publike, mos-koordinimin e pushimeve të stafit të komunës dhe mungesa e angazhimit drejtorive në realizimin e objektivave.
Pushimet e stafit administrative janë të garantuara me legjislacionin në fuqi në Kosovë, por problem është mos-koordinimi i pushimeve vjetore në mes puntorëve komunal. Ky mos-koordinim po shkakton rënie të intensitetit së punës dhe kapaciteteve shërbyese. Në momentin kur një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve komunal gjenden në pushime, shumë organe të administratës komunale e kanë shumë të vështirë të funksionojnë.
INPO gjatë procesit të monitorimit ka vërejtur se kohëve të fundit, edhe me ardhjen e bashkëatedhtarëve, numri i aplikuesëve për tu pajisur me dokumente është rritur dukshëm. Rradhët e gjata para sporteleve në pritje të dokumentave po shkaktojnë vonesa dhe probleme tjera, dhe këto radhë janë ndihmur edhe nga burokracia dhe mos-efikasiteti i stafit. Përgjegjësia për gjendjën e krijuar i takon Komunës së Prishtinës, përgjegjësi e së cilës është adresimi i problemeve të tilla me të cilat përballet çdo vit. Komuna ka pasur një numër alternativash për përmirësimin e kësaj situate ku përfshihet angazhimi i stafit shtesë apo praktikantëve, shtimin e numrit të sporteleve etj, këto në mënyrë që qytetarët të mos kenë probleme dhe ta kenë më të lehtë për tu pajisur me dokumentacionin e nevojshëm.
Në anën tjetër gjatë kësaj periudhe është shqetësuese mungesa e angazhimeve të drejtorive komunale për realizimin e projekteve. Në këtë drejtim është vërejtur ngecje në përfundimin dhe miratimin e planeve rregulluese të një numri të madh të lagjeve të Prishtinës. Mos angazhim serioz i komunës (Drejtorisë Komunale të Urbanizmit) gjatë këtyre muajve të verës vetëm sa i shtyn problemet nga një afat kohor në afat tjetër. Është evidente se pjesa më e madhe e listës së prioriteteve të përcaktuara në Raportin Vjetor të Drejtorisë së Urbanizmit, të parapara të përfundonin në këtë mandat, ende mbesin pa u realizuar. Një shqetësim tjetër për ne është edhe vonimi i renovimeve dhe ndërtimeve të objekteve shkollore. Kjo ka ndikim në procesin mësimor, e cili shumë herë fillon me vonesë. INPO bën apel Komunës së Prishtinës, përkatësisht Drejtorisë së Arsimit që punimet dhe meremetimet në shkolla të kryhen në bazë të planeve dhe procedurave të parapara.