
Pas rekomandimit të INPO-s, Komuna e Gllogocit anulon aktivitetin e prokurimit
03/06/2022Prishtinë, 3 qershor 2022 – Në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, organizata INPO është duke monitoruar edhe aktivitetin e prokurimit të iniciuar nga Komuna e Gllogocit me titull “Hartimi i projekteve për nevoja të komunës”, me numër të prokurimit 611-22-3360-2-2-1 dhe vlerë të parashikuar 35,000 euro.
Lidhur me këtë aktivitet INPO ka evidentuar një mori shkeljesh ligjore e procedurale, duke filluar nga mosrespektimi i afateve ligjore në kuadër të udhëheqjes së procedurave të prokurimit deri tek vendosja e kritereve shumë të larta, jo relevante dhe të panevojshme në dosje të tenderit.
Për shkak të këtyre shkeljeve ligjore e procedurale, INPO më 01.06.2022, nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtuar Komunës së Gllogocit ka rekomanduar që komuna t’i largoj kriteret shumë të larta, jo proporcionale, të panevojshme dhe diskriminuese nga ky aktivitet i prokurimit, ose aktivitetin ta anuloj në tërësi dhe të fillohet aktivitet i ri në përputhje me kërkesat ligjore.
Komuna e Gllogocit një ditë më pas ka vendosur ta anuloj në tërësi aktivitetin e prokurimit me arsyen se “Kjo procedure është anuluar nga ana e AK për shkak se do të ri-shqyrtohen edhe njëherë kriteret dhe do të behët ri-tenderimi”.
INPO përshëndet këtë vendim të Komunës së Gllogocit për ta kthyer ligjshmërinë në këtë aktivitet të prokurimit. Gjithashtu, inkurajojmë komunën që gjatë ri-tenderimit të respektohen kërkesat ligjore në mënyrë që aktiviteti i prokurimit të udhëhiqet mbi parimin e ligjshmërisë, barazisë në trajtim, jo diskriminimit dhe gjithëpërfshirjes.
INPO do të vazhdoj ta monitoroj prokurimin publik në gjithë Republikën e Kosovës.