Pas reagimit të INPO-s, Komuna e Kamenicës largon kriteret e larta dhe diskriminuese nga Dosja e Tenderit

25/07/2022

Prishtinë, 25 korrik 2022 – Në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, organizata INPO është duke monitoruar edhe aktivitetin e prokurimit me titull: “Ofrimi i një web platforme digjitale (përfshirë aplikacionet për IOS dhe Android) për menaxhimin e procesit mësimor për shkollat fillore dhe të mesme në komunën e Kamenicës”, me numër të prokurimit 653-22-7175-2-2-1,  me vlerë të parashikuar 27.500 euro, të udhëhequr nga Komuna e Kamenicës.

Gjatë monitorimit, INPO ka gjetur se për këtë aktivitet të prokurimit janë vendosur kritere shumë të larta dhe jo proporcionale lidhur me kërkesat mbi mundësitë teknike dhe/ose profesionale. Konkretisht bëhet fjalë për kërkesën numër 1, ku ndër të tjerash kërkohet:

  1. “Menaxheri i projektit – Menaxheri i projektit duhet të jetë master i shkencave kompjuterike ose Inxhinieri Kompjuterike ose Sisteme te Informacionit me minimumi 10 vite përvoje pune të menaxhimit me projekte të ngjashme. Gjithashtu menaxheri i projektit duhet të jetë i çërtifikuar në Projekt Management Professional (PMP)”.
  2. “Një Zhvillues Softueri Senior – Zhvilluesi i softuerit duhet të jetë i diplomuar në shkenca Kompjuterike ose Inxhinieri kopjuterike dhe duhet të ketë se paku 7 vite përvoje punë në teknologjike si SQL, server 2016 etj”.
  3. “Një (1) ekspert për data bazë – Eksperti për data bazë duhet të jetë i diplomuar në Shkenca Kompjuterike ose Inxhinieri Kompjuterike ose informatike dhe duhet të ketë së paku 5 vite përvojë pune në zhvillimin e data bazave”.
  4. “Minimum 3 (tre) zhvillues softueri për zhvillimin e aplikacioneve soufterike .Zhvilluesit e softuerit duhet të jenë të diplomuar në shkenca kompjuterike ose inxhinieri kompjuterike ose informatike dhe të kenë përvoje pune në zhvillimin e Web Aplikacioneve”.

Përveç se këto kërkesa janë shumë të larta dhe jo proporcionale, në të njëjtën kohë janë edhe diskriminuese dhe përjashtuese për operatorët ekonomik. Kjo për faktin se përvoja e punës dhe numri i stafit profesional të kërkuar nga Komuna e Kamenicës për një aktivitet të prokurimit me vlerë të mesme është shumë e lartë dhe jo proporcionale me shërbimin që pritet të ofrohet. Andaj, këto kërkesa janë në kundërshtim me nenin 69 të LPP-së lidhur me nenin 26 të RrUOPP.

Më 19.07.2022, INPO nëpërmjet një reagimi të brendshëm ka kërkuar nga Komuna e Kamenicës eliminimin e kërkesave shumë të larta, jo proporcionale, të panevojshme dhe diskriminuese nga Dosja e Tenderit, përkatësisht INPO ka kërkuar që në Dosje të Tenderit të mbesin vetëm ato kërkesa të cilat janë të domosdoshme dhe relevante për përmbushjen e kontratës. INPO ka rekomanduar që nëpërmjet Formularit B54 – Formulari për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara, të ulët përvoja e punës për menaxherin e kontratës dhe stafin profesional, si dhe të ulet numri i stafit profesional si kriter minimal.

Më 25.07.2022, Komuna e Kamenicës ka publikuar Formularin B54 – Formulari për korrigjimin e gabimeve në njoftimet e publikuara, ku ka adresuar të gjitha rekomandimet e INPO-s.

Shih formularin B54:

 

INPO do të vazhdoj ta monitoroj prokurimin publik në të gjithë Republikën e Kosovës.