
Pas reagimeve të INPO-s, komuna e Gjilanit anulon aktivitetin e prokurimit
27/01/2022Pas dy reagimeve të INPO-s, komuna e Gjilanit sot ka anuluar aktivitetin e prokurimit me titull “Pastrimi i Objekteve Shkollore”, me vlerë të parashikuar 1,343,997 Euro.
INPO për shkak të shkeljeve ligjore lidhur me këtë aktivitet kishte reaguar më 03.12.2021 dhe më 15.12.2021, me rekomandim që duke u bazuar në nenin 23.3, pika (e), lidhur me nenin 44.7 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ të Prokurimit Publik, komuna e Gjilanit ta anuloj këtë aktivitet të prokurimit.
INPO përshëndet këtë vendim të komunës së Gjilanit dhe i bënë thirrje të njëjtës që nëse ende ka nevojë që ky aktivitet të zhvillohet, të shpallen procedura të reja të cilat i respektojnë afatet e rregullta ligjore, nuk janë diskriminuese, favorizuese apo në kundërshtim me ligjin dhe aktiviteti në fjalë ka të bëjë me marrjen e shërbimit të pastrimit e jo me punësim të personave.
INPO do të vazhdoj me monitorimin sistematik të prokurimit publik në gjithë Republikën e Kosovës.