“Ndërtimet e egra dhe siguria gjatë ndërtimeve”
27/06/200827 Qershor 2008 – “Ndërtimet e egra dhe siguria gjatë ndërtimeve” ishte tema e një debati të ndjeshëm të organizuar nga organizata Iniciativa për Progres. Në këtë debat ku diskutuan përfaqësues të komunës së Ferizajt, shoqërisë civile, disa partive të përfaqësuara në Kuvendin Komunal, Shërbimit Policorë dhe gazetarë, u fol për mungesën e planit urbanistik, ndalimin i ndërtimeve te egra, mungesën e standardeve të sigurisë gjatë ndërtimeve dhe mungesën e hapësirave për lëvizje të lirë.
Drejtoresha e Urbanizmit znj. Qazime Vata theksoi se problemet më të mëdha në kaosin e ndërtimeve janë paraqitur për shkak të planit zhvillimor të qytetit i cili ende nuk ka arritur të miratohet nga Kuvendi Komunal, por shfaqi shpresën se Ferizaj do të jetë me Plan Zhvillimor deri në fund të këtij viti. Ndërkaq z. David Demaj Drejtor i Inspektoratit, mungesën e inspektorëve në një qytet me rreth 150 mijë banorë e sheh si problem të madh për inspektimin e ndërtimeve, më tutje drejtori i inspektoratit tregoi se në vitin 2008 janë inspektuar 180 vend punime prej të cilave shumica pa leje ndërtimi, por që pas vërejtjeve të bëra një pjesë e madhe kanë aplikuar dhe kanë marrë lejet e ndërtimit. Problemi më i madh i komunës është mungesa e mekanizmit për ekzekutimin e gjobave që vihen për ndërtuesit, u shpreh z. Demaj.
Ferizaj ka pak hapësira publike të cilat do të duhej ti shfrytëzonte për qëllime të komunitetit dhe për këtë drejtoritë përkatëse duhet të bëjnë çmos që të ruhen ato nga ndërtimet e egra dhe uzurpimet, u shpreh z. Fadil Halili, shef i grupit parlamentar të LDD-së. Ndërkaq në kritikën që i u bë nga pjesëmarrësit, deputetëve të KK-së për votimin e disa projekteve të ndërtimit, z. Sabit Hoxha nga grupi parlamentar i LDK-së u shpreh se ka pasur një mungesë të planeve të detajuara kur janë paraqitur për votim në Kuvend.
Aktivisti i shoqërisë civile z. Gazmend Rexhepi u shpreh i shqetësuar për mungesën e planit zhvillimor dhe ndarjen e kuarteve të banimit kolektiv dhe atij individual. Në këtë debat pjesëmarrësit ngritën shumë shqetësime të rëndësishme për të cilat institucionet u zotuan se do t’i kenë parasysh dhe se do të merren aktivisht me to, e njëri ndër to është edhe shqetësimi për shfrytëzimin e tokës nga disa ndërtues, më shumë se lejojnë standardet. Z. Adnan Hashani, gjeograf theksoi se disa ndërtues jo që nuk respektojnë standardet prej 70% të lejimit të shfrytëzimit të pronës për ndërtim por ata shpeshherë edhe tejkalojnë pronën e tyre duke cenuar pronën publike(trotuaret) me shfrytëzimin e saj për ndërtim deri në “110%”.