Mungesë mësimi në ditët e fundit në shkollat e mesme në komunat e Republikës së Kosovës
14/05/2012Prishtinë, 14 Maj- Iniciativa për progres – INPO po i përcjell me kujdes mbarëvajtjen e orëve të mësimit dhe procesin e arsimit në shkollat e mesme në shtatë qytetet më të mëdha (Prishtinë; Mitrovicë; Pejë; Gjakovë; Prizren; Ferizaj; Gjilan) të republikës së Kosovës. Nga monitorimi i drejtpërdrejtë i shkollave të mesme INPO vlerëson se gjatë muajit Maj po humben orë mësimore pa arsye. Kjo dukuri negative në shkolla ndodhë sidomos për klasat e dymbëdhjeta dhe të trembëdhjeta. Maturantët e shkollave të mesme nuk respektojnë orarin mësimor duke lëshuar orët e fundit. Është shqetësuese fakti se edhe disa nga profesorët nuk mbajnë orët e tyre për të cilat paguhen. E gjithë kjo sjell një atmosferë të shthurur dhe avarie në shkollat e mesme, pikërisht në ditët e fundit të vitit shkollor, ditë në të cilat maturantët do të duhej të përgatiteshin intensivisht për Testin Kombëtar të Maturës.
Situata njëjtë thuajse mbretëron në të gjitha shkollat e mesme të Kosovës. Hulumtuesit e INPO-s në bashkëpunim më aktivistet nga të gjitha komunat tjera që nga fillimi i muajit Maj janë në kontakte rreth mbajtjes së orëve të maturantëve. Gjimnazet nuk mbajnë fare orët e fundit, shkollat ekonomike dhe ato profesionale-teknike mbajnë vetëm nga dy apo tri orët e para.
Mos-mbarëvajtja e mësimit nga ana e mësimdhënësve, mos-disiplina nga nxënësit, libri që shumë pak lexohet sot në Kosovë do të sjellin rezultate edhe më negative tek kalueshmëria e Testit Kombëtar të Maturës. Për fat të keq çdo vit numri i atyre që nuk e kalojnë ketë test po rritet. Ndërsa nga ana tjetër pikërisht për shkak të kalueshmërisë shumë të ulët të Testit Kombëtar të Maturës, MASHT për çdo vit ka ulur kriterin e kalueshmërisë. Luhatja e kriterit të kalueshmërisë tregon paqëndrueshmëri dhe nivel të ulët arsimor në Kosovë. MASHT sivjet ka ndërruar formën e testit të maturës prandaj do të duhej të ishte shumë i kujdesshëm në përcaktimin e kriterit të kalueshmërisë dhe mos – ndërrimin e tij pavarësisht rezultateve përfundimtare të nxënësve.
Të gjithë këta maturantë dëshirojnë që të regjistrohen në fakultete të ndryshme, por me veprime të tilla vështirë se do të mund të jenë pjesë e studimeve universitare.
Përsëritja e problemeve nga viti në vit me të cilat përballet arsimi kosovar gjegjësisht nëpër shkollat e mesme, tregon që MASHT-i nuk po i merr hapat e nevojshëm për të zgjidhur këto probleme me të cilat po përballet shoqëria kosovare, respektivisht moshat më të ndjeshme të shoqërisë sonë, të rinjtë e shkollave të mesme. Shkollat e mesme gjenden në një gjendje të mjerueshme, pa laborator për konkretizimin e mësimeve, pa salla të mirëfillta të edukatës fizike, me probleme të konsumimit të duhanit nga nxënësit brenda objekteve shkollore, menaxhim i dobët i pastërtisë në banjot e shkollave, rrethoja të shkatërruara dhe jofunksionale të oborreve të cilat nuk kontribuojnë në sigurinë e nxënësve e mbi të gjitha me një atmosferë ligjëruese e cila nuk avancon mendimin kritik të nxënësve.
INPO ka nxjerrë përfundimin se nxënësit e shkollave të mesme në komunat e Kosovës ndjekin mësime dogmatike të tejkaluara, teoria të thata të mësuara përmendësh të cilat me shumë vështirësi i përvetësojnë për të kaluar Testin Kombëtar të Maturës e edhe më me vështirësi i përdorin në studime të mëtutjeshme universitare.
Përgjegjësia kryesore e nivelit të arsimit në Kosovë bie mbi Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë – (MASHT) dhe e drejtoritë komunale të arsimit ku këto të fundit bëjnë mbikëqyrje të drejtpërdrejt në shkollat e mesme.
MASHT-i me strukturat e saj dhe drejtoritë e arsimit të komunave duhet të ndryshojnë qasjen që kanë në udhëheqjen e sistemit arsimor. Për t’i zgjidhur problemet që sa vijnë e rëndohen në sistemin arsimor nuk mjafton vetëm të analizohet dhe proklamohet por edhe të veprohet konkretisht. Edhe ministria e arsimit sikurse ministrit e shteteve evropiane ka pranuar reformat në sistemin arsimor, por ky sistem si duket ka mbetur vetëm në letër sepse situatë e njëjtë në arsim përsëritet që shumë vite.
INPO i bën apel të gjitha institucioneve që organizojnë dhe mbikëqyrin punën e arsimit në Kosovë të bëjnë përpjekjet maksimale për zgjidhjen e probleme në arsimin. Çdo herë kur dihet problemi zgjidhja është më e lehtë, prandaj zgjidhja e këtyre problemeve nuk është edhe aq e vështirë vetëm duhet të këtë disiplinë, rregull dhe përgjegjësi nga të gjithë, duke u nisur nga mësimdhënësit, kujdestarët e klasave, drejtoret e shkollave, inspektorati i arsimit e deri tek ministria e arsimit. Me këtë formë të shkollimit nuk korrespondon aspak me kriteret e arsimit qe behën ne vendet tjera e sidomos me ato vende që gjenden ne Bashkimit Evropian.
Kosova duhet te prodhoj dhe të përgatisë kuadro të nivelit të lartë dhe të ndërtojë një sistem të arsimit që do të lehtësojë punën dhe jetesën e gjithkujt në të ardhmen dhe që të jetë në përputhje me sistemet e BE-se