Mos miratimi i Ligjit për Kryeqytetin, vjen si pasojë e mungesës së vullnetit politik
18/09/2013Prishtinë, 18 Shtator 2013 – Iniciativa për progres (INPO) ka organizuar tryezë diskutimi me temën “Ligji për Kryeqytetin”. Ky aktivitet është në kuadër të projektit “Ngritja e Transparencës dhe llogaridhënies në Komunën e Prishtinës”, i cili mbështetet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri te Hapur/KFOS.
Në këtë tryezë ishin të ftuar të gjithë kandidatët për kreun e Komunës së Prishtinës. Pjesëmarrës në këtë tryezë ishin: Valon Murati nga Lëvizja për Bashkim, Kaqusha Jashari nga Partia Social Demokrate, Dardan Sejdiu nga Vetëvendosje, përfaqësues nga Ministria e Financave, OSBE dhe përfaqësues të Organizatave Jo-qeveritare.
Qëllimi i organizimit të kësaj tryeze ishte diskutimi mbi gjendjen aktuale të Ligjit për Kryeqytetin, neglizhenca e institucioneve qendrore dhe lokale për dërgimin e ligjit në Kuvendin e Kosovës, si dhe dobitë e Komunës së Prishtinës nga implementimi i këtij ligji.
Drejtori i INPO-s z.Samir Reka bëri hapjen e këtij debati dhe tregoj arsyeshmërinë e të debatuarit për këtë temë, ku më pas koordinatori i INPO-s z.Osman Bllaca prezantoi arsyet se pse është i nevojshëm Ligji për Prishtinën, dhe cilat janë përfitimet e Komunës se Prishtinës nga ligji në fjalë. Gjithashtu u prezantuan të gjitha aktivitetet e INPO-s në avokimin dhe sensibilizimin e institucioneve publike në aprovimin e Ligjit për Prishtinën.
Nga të pranishmit në këtë tryezë erdhi në përfundim se Komuna e Prishtina ka nevojë imediate për rregullimin e qytetit të Prishtinës me ligj të veçantë. Gjithashtu të pranishmit vlerësuan se mos miratimi i Ligjit për Kryeqytetin, vjen si pasojë e mungesës së vullnetit politikë të Qeverisë së Kosovës, Partisë Demokratike të Kosovës, grupit parlamentar Lidhjes Demokratike të Kosovës i cili nuk ka ndërmarr hapa konkret në inicimin e ligjit për Kryeqytetin në Kuvendin e Kosovës. Poashtu u konstatua se një pjesë e përgjegjësisë i takon edhe Komunës së Prishtinës për mungesën e vullnetit të treguar në dërgimin përpara të ligjit për Kryeqytetin.