Mos i pengoni dhe politizoni mësimdhënësit!

25/11/2010

Iniciativa për Progres reagon për takimin e ministrit në dorëheqje të Ministrisë së Arsimit, z. Enver Hoxhaj me mësimdhënës  të Ferizajt, meqenëse konsiderojmë që një takim i tillë ka për qëllim ushtrimin e presionit ndaj mësimdhënësve dhe është në shërbim të fushatës parazgjedhore të PDK-së.
Këso lloj ndejash me mësimdhënës po e ngarkojnë buxhetin e komunës me shpenzime të tepruara të taksapaguesve, kur dihet se në takimin e kryeministrit Thaçi me mësimdhënës, muaj më parë, dreka e shtruar për mësimdhënës është paguar nga buxheti i Komunës së Ferizajt.
Sot, për shkak të ndejës së organizuar nga Ministri në Dorëheqje i Arsimit, z. Hoxhaj është penguar edhe procesi i rregullt mësimor. Profesorët kanë lënë orët e mësimit për të shkuar në ndejë. INPO reagon sepse konsideron që praktikat e tilla të drekave dhe darkave apo çdo organizimi tjetër me mësimdhënës është i tepruar.
Kjo vizitë realizohet menjëherë pas premtimit të  Kryeministrit në dorëheqje për rritjen e pagave të arsimtarëve për 50%, dhe kundërshtimit që i bënë partitë opozitare dhe njohësit e ekonomisë.