Monitorimi i Zgjedhjeve ne Ferizaj

27/03/2012

D4D dhe Iniciativa për Progres (INPO) bën publike nismën e tyre për të vëzhguar zgjedhjet e jashtëzakonshme për komunën e Ferizajt. Përfaqësuesit e këtyre dy organizatave deklaruan se është thelbësore që mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve të jetë brenda standardeve ndërkombëtare për zgjedhje të drejta dhe të lira. Këto zgjedhje janë një test i mirë që të kthehet besimi i qytetarëve në procesin zgjedhor dhe në institucionet përgjegjëse për organizmin e tyre. “D4D dhe INPO i bëjnë thirrje KQZ-së që të marrë masat e duhura që të parandaloj parregullsitë që kanë ndodhur në zgjedhjet e kaluara, tha Avni Bytyçi, nga organizata INPO. KQZ nuk mund t’i ikë përgjegjësisë ligjore për mbarëvajtjen e procesit, dhe kërkojmë nga KQZ që të ndërmarrë të gjitha masat për të ulur motivin dhe mundësinë për keqpërdorime.

Në mes tjerash D4D dhe INPO kërkojnë nga KQZ:
Vendosja e komisionerëve në zona tjera. Anëtari i KVV-së të mos jetë nga e njëjta zonë ku shërben gjatë ditës së zgjedhjeve. Shpërndarja e roleve të anëtarëve të KVV-së duhet të bëhet me short.
Vëzhguesve t’u lejohet që qëndrojnë prapa komisionarëve.
KQZ të ofrojë trajnime profesionale për komisionarë dhe të njëjtit të certifikohen për këtë detyrë.
Të reduktohet roli i drejtorëve të shkollaveqë të jetë vetëm për logjistikë dhe të gjendet mënyrë për të mënjanuar turmat që mbledhen brenda dhe jashtë vendvotimeve.
Përgjegjësia zinxhirore ligjore e KQZ-së. Të etablohet përgjegjësia zinxhirore ligjore e KQZ-së për shkeljet procedurale në ditën e zgjedhjeve.
Kujdes i shtuar gjatë përdorimit të llambave dhe ngjyrës në të gjitha fazat (blerje, transport, verifikim para përdorimit në prani të vëzhguesve).
Kartat e identitetit për vëzhgues dhe komisionarë të jenë me fotografi. Të kufizohet numri total i vëzhguesve të akredituar në 2 për vendvotim dhe ky numër të vlejë edhe për total.
Rezultatet preliminare të votimeve të jepen për çdo vendvotim.
Raportimi i rezultateve. Të detajohet raportimi uniform i rezultateve të zbërthyera për çdo vendvotim si vijon: elektorati, valide, zbrazëta, prishura, refuzuara, për secilin kandidat, etj. Në vitet e kaluara mungojnë një pjesë e mirë e raportimit të rezultateve më lartë. Nëse përsëritet votimi në ndonjë zonë, duhet raportuar edhe rezultatet e raundit të anuluar.

Thirrje për partitë politike:
Të rekrutojnë komisionarë që janë të përkushtuar që votimi të ecë sipas ligjit dhe rregullave në fuqi, dhe jo militantë që tentojnë në çfarëdo forme të dëmtojnë procesin zgjedhor;
T’i bëjnë trajnimet e duhura për vëzhguesit e tyre në mënyrë që të njëjtit të jenë vigjilent gjatë ditës së zgjedhjeve.