MBLEDHJA E KATËRT E KUVENDIT TË KOMUNËS SË PRISHTINËS

28/03/2013

REND DITE :

1. Miratimi i ekstraktit të procesverbalit të mbledhjes së tretë;
2. Raporti i punës për vitin 2012 i NPK “Ndërmarrja Banesore”;
3. Raporti i punës për vitin 2012 i NPK “Termokos”;
4. Raporti i punës për vitin 2012 i NPK “Sport Marketing”;
5. Raporti i punës për vitin 2012 i NPK “Stacioni i Autobusëve”;
6. Propozimrregullorja për transportin rrugor në territorin e komunës së Prishtinës;
7. Propozimrregullorja për ndarjen e bursave për studentë të komunës së Prishtinës;
8. Pyetje dhe përgjigje;
9. Të ndryshme.

Kryesuesi z. Sami Hamiti e hapë mbledhjen e katërt të Kuvendit të komunës së Prishtinës. Ai në fillim përshëndet kryetarin e komunës nën kryetarin, drejtorët, asamblistët, përfaqësuesit e mediave dhe të OJQ-vë. Kryesuesi hodhi në votim rendin e ditës, ku dhe u miratua nga të gjithë.

Pika 1. Miratimi i ekstraktit të procesverbalit të mbledhjes së tretë;

Z. Naim Makolli nga grupi i AKR-së kërkoj fjalën nga kryesuesi, ku e parashtroj një vërejtje. Z. Makolli kërkoj sqarim pse nuk ka hyrë në raport të punës asfaltimi i rrugës së fshatit Marec.

Votohet nga të gjithë.

Pika 2. Raporti i punës për vitin 2012, NPK, “Ndërmarrja Banesore”;

Në këtë pikë, në fillim z. Shefqet Sylejmani nga grupi i AAK-së, por në të njëjtë kohë edhe si anëtar i Komisionit Komunal për “Ndërmarrjet Banesore” prezantoj raportin e kësaj ndërmarrje për vitin 2012. Sipas tij, kjo ndërmarrje vepron në bazë të ligjit për ndërmarrjet publike. Po ashtu z. Sylejmani e prezantoj edhe organizimin e ndërmarrjes, numrin e të punësuarve që sipas tij është 78. Sipas tij, këtë vit nuk ka pasur objekte të uzurpuara. Kjo ndërmarrje ka pasuri jo qarkulluese 6 milionë euro, kurse qarkulluese 3 milionë euro. Është përmirësuar dukshëm administrata e kësaj ndërmarrje, mirëpo si sfidë e kësaj ndërmarrje mbetet ende problemi i borxheve.

Hapet debati: z. Mustafë Krasniqi nga grupi i LDK-së. Ne si grup parlamentar e kemi analizuar këtë raport, por flas edhe në emër tim që jam pjesë e këtij komisioni për këtë ndërmarrje dhe e përkrahim këtë raport.
Z. Aziz Pacolli nga grupi i AKR-së. Ne në parim e përkrahim këtë raport por kërkojmë që herëve tjera të jetë më mirë i kompletuar.
Z. Shemsi Veseli nga grupi i PDK-së. Ne kemi disa vërejtje në këtë raport. Së pari këtij raporti i mungon një adresë e referimit. Nuk është mirë i strukturuar, sepse ka shumë mangësi si për shembull nuk është trajtuar problemi në fillim, sa është realizuar puna gjatë vitit si dhe sa ka mbetur pa u realizuar, po ashtu nuk është dhënë sqarim mjaft për buxhetin, cilat janë pengesat si dhe sfidat, flitet pak për auditimin e brendshëm, cilat janë të gjeturat në këtë raport si dhe në fund fare nuk keni dalë me rekomandime.
Znj. Mejreme Berisha nga grupi i AAK-së. Ne e përkrahim këtë raport sepse është mjaft mirë i kompletuar, vetëm urojmë që vitet e ardhshme të prezantohen raporte të tilla.
Z. Shefki Gashi nga grupi i LDD-së. Edhe ne si grup parlamentar e përkrahim këtë raport por kemi disa vërejtje. Në këtë raport mungon një listë me emrat e atyre që kanë uzurpuar sepse ne po miratojmë këtë raport dhe për këtë ne duhet me ditë kush janë ata zotëri që kanë uzurpuar pronën komunale.
Z. Feti Mehdiu nga grupi i PD-së. E përkrahim këtë raport por kemi një vërejtje. Në këtë raport flitet shumë pak për auditimin e brendshëm.
Z. Sadri Ramabaja nga grupi i VV. Ne si grup parlamentar kemi disa vërejtje për këtë raport. Këto komisione për ndërmarrjet publike janë shndërruar në mjete politike të dy partive që e po ndajnë pushtetin, qoftë në nivel lokal po ashtu edhe në atë qendror. Ky raport sa i përket anës profesionale dhe teknike është mirë i strukturuar mirëpo në praktik nuk funksion ashtu siç është i shkruar. Në bazë të komunikimeve që unë kam me punëtoret e kësaj ndërmarrje ata kanë shumë vërejtje. Po ashtu janë pranuar punëtor të tjerë pa konkurs etj.
Kjo pikë votohet, por me tri vota kundër.

Pika 3. Raporti i punës për vitin 2012, NPK, “Termokos”;

Z. Tefik Mehmeti nga grupi i LDK-së por edhe si anëtar i Komisionit Komunal i Ndërmarrjes “Termokos”, prezantoj raportin e kësaj ndërmarrje. Ky raport nuk është shumë i gjatë, sepse nuk kemi dashur për t′i përshkruar dispozitat ligjore në bazë të cilat vepron kjo ndërmarrje sepse kush është i interesuar mund të shikoj ligjin për ndërmarrjet publike në Kosovë. Por ne jemi fokusuar më shumë në veprimtarinë e saj. Pronat e aseteve janë trajtuar në bazë të ligjeve, kemi bërë dy tabela me të dhëna financiare duke krahasuar vitin 2011/2012, kemi krahasuar uljen e shpenzimeve për vitin 2011/2012, kurse jemi fokusuar më shumë në projektin e kogjenerimit sepse është në interes të komunës së Prishtinës. Si sfidë kryesore e “Termokosit” mbetet inkasimi i ulët nga konsumatorët.

Hapet debati: z. Milazim Vitija nga grupi i AKR-së. E përkrahim këtë raport sepse janë inkorporuar vërejtjet që i kemi dhënë në mbledhjen e KPF-së.
Z. Shemis Veseli nga grupi i PDK-së. Aksionarët e kësaj ndërmarrje duhet të kenë për qëllim mbrojtjen e interesave të komunës e jot ë ndërmarrjes. Po ashtu kemi vërejtje si në raport por edhe tek kjo ndërmarrje. Kjo ndërmarrje ka pas ngrohje gjatë ditës vetëm nga 2 orë, kurse faturat kanë shkuar tek klientët për ka 8 orë në ditë. Në raport mungojnë të dhënat për nevojat e klientëve. Nuk është bërë një hulumtim nga ana e kësaj ndërmarrje me klientët e saj për të u njoftuar me problemet që kanë pasur këta klientë etj.
Z. Shefqet Sylejmani nga grupi i AAK-së. Ne si grup parlamentar pasi e kemi analizuar këtë raport e përkrahim por e kemi një vërejtje sepse në raport nuk është shkruar sa është numri i përgjithshëm i punëtorëve që punojnë në “Termokos”.
Z. Feti Mehdiu nga PD-ja, e përkrahim këtë raport por shpresojmë që me përfundimin e projektit për kogjenerim, do të përmirësohen shërbimet për qytetarët.
Z. Sadri Ramabaja nga VV. Ky raport është më i përmirësuar krahasuar me vitet e tjera. Po ashtu drejtori i ri Arsim Janova ka përmirësuar dukshëm gjendjen për punëtoret e kësaj ndërmarrje, faturimi është më real në krahasim më vitet e tjera. Si vërejtje kemi për anëtaret e komisionit sepse janë të njëjtit me ata që kanë qenë më përpara.
Pika qitet në votim. Votohet me 5 vota abstenim.

Pika 4. Raporti i punës për vitin 2012, NPK, “Sport Marketing”;

Z. Bajram Selimaj nga grupi i LDK-së, por edhe anëtar i Komisionit Komunal i Ndërmarrjes “Sport Marketing” e prezantoj raportin e kësaj ndërmarrje për vitin 2012.
Kjo ndërmarrje publike është themeluar në bazë të ligjit për ndërmarrjet publike dhe është regjistruar së fundi në Ministrinë e Tregtisë. Kjo kompani është e dedikuar vetëm për pastrimin e liqenit në Gërmi dhe “Shtëpinë e Gurit” në Brezovicë, por vitin e kaluar kjo ndërmarrje ka pasur gjendje jo të mirë për shkak të kushteve klimatike.

Hapet debat: z. Aziz Pacolli nga grupi i AKR-së. Ky raport po më duket i ngjashëm me vitin e kaluar. Po ashtu kjo kompani duhet për të pastruar më mirë liqenin e Gërmisë.
Z. Shemsi Veseli nga grupi i PDK-së. Ne e përkrahim këtë raport por kërkojmë nga komuna e Prishtinës për të subvencionuar më shumë këtë kompani.
Votohet me dy vota kundër.

Pika 5. Raporti i punës për vitin 2012, NPK, “Stacioni i Autobusëve”;

Z. Muhamet Nura nga grupi i LDK-së, por edhe anëtar i Komisionit Komunal i Ndërmarrjes “Stacioni i Autobusëve” prezantoj raportin e kësaj ndërmarrje dhe kërkoj nga këshilltarët e kuvendit të miratojnë këtë raport.

Hapet debati: z .Aziz Pacolli nga grupi i AKR-së. E përkrahim këtë raport edhe pse ka pak sqarime.
Z. Shemsi Veseli nga PDK-ja, dhe pse ky raport është i ri dhe kjo ndërmarrje ka kaluar që pak kohë nën kompetencat e komunës, por është dashur për të plasuar të dhëna nga ndërmarrja se kjo ka qenë duke vepruar.
Miratohet.

6. Propozimrregullorja për transportin rrugor në territorin e komunës së Prishtinës;

Z. Agim Gashi prezantoj anën ligjore të këtij raporti. Dispozitat e përgjithshme dhe të veçanta. Po ashtu pikat dhe kushtet që duhet të plotësojnë automjetet që operojnë në trafik.
Hapet debati: z. Hetem Kupina nga grupi i LDK-së. E përkrahim këtë propozimrregullore dhe kërkojmë nga grupet tjera që të votojnë për miratim.
Z. Aziz Pacolli nga grupi i AKR-së. Trafiku Urban është në kaos në Prishtinë. Rregullat e shkruara nuk po përdoren, janë keqpërdorur nga një dispeçer 53 mijë euro. Pas orës 6 në mbrëmje nuk ka autobusë që operojnë në kryeqytet.
Znj. Besa Zagragja nga grupi i PDK-së. A përcaktohet distance minimale për ndaljen e autobusëve?, sepse po ndalen autobusët vend e pa vend e po shkaktojnë kaos në qytet. Sa i përket letrës që është dërguar për “Trafikun Urban” mos të anashkalohet, mos të bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Znj. Mejreme Berisha nga AKR-ja. A ka ndonjë kategori shoqërore që lejohet nga pagesa në Trafikun Urban?.
Znj. Kimete Zeqa nga LDD-ja. E përkrahim këtë rregullore se ofron informata specifike.
Z. Feti Mehdiu nga PD-ja. E përkrahim këtë rregullore por kemi një vërejtje. Ata njerëz që lejohen nga pagesa në trafikun urban, të pajisen me karta që e kanë statusin e studentit apo me kushte të rënda sociale.
Z. Sadri Ramabaja nga VV. Sa i përket letrës së dërguar për “Trafikun Urban” mos të bëjmë sikur nuk ashtë asgjë dhe si letër me konotacione politike. Sepse është dërguar institucionit të komunës dhe neve këshilltarëve të Kuvendit të komunës së Prishtinës. Votohet nga të gjithë.

7. Propozimrregullorja për ndarjen e bursave për studentë të komunës së Prishtinës;

Z. Flamur Shala nga LDK-ja. Ne e përkrahim këtë rregullore. Komuna e Prishtinës me vite po vazhdon me i përkrah studentët me bursa, sidomos ata studentë që ndjekin studimet në kuadër deficitar, për studentë të dallueshëm si dhe për ata studentë me aftësi të kufizuara.
Z. Aziz Pacolli e përkrahim këtë rregullore, vërehet se vërejtjet që i kemi dhënë, janë marrë parasysh, por kemi vërejtje që studentët me mesatare mbi 9.0 zero mos të aplikojnë në komunë sepse ata e marrin bursën në Universitetin Publik.
Znj. Lumnie Rama nga PDK-ja. Të bëhet një ndarje e qartë për studentët e dëshmorëve dhe ata për kushte të rënda sociale.
Znj. Meliza Berisha nga AAK-ja. Të specifikohet se cilat drejtime janë deficitare.
Z. Shefki Gashi nga LDD-ja. Është e padrejtë që vetëm studentët e UP-së të marrin bursa nga komuna, sepse duhet dhënë edhe atyre që i ndjekin studimet edhe në kolegje private.
Z. Feti Mehdiu nga PD-ja. Kjo rregullore është e mirë, por vetëm kërkojmë që pika 3 të ndryshohet. Sepse në këtë pikë është e shkruar se vetëm ata studentë që lindur në Prishtinë dhe janë banor të Prishtinës mund të përfitojnë bursë nga komuna.
Znj. Afërdita Veliu nga VV. Ne kërkojmë që të ndihmohen më shumë studentët që janë me kushte të rënda financiare.
Votohet me 2 abstenime nga VV.

Pyetje dhe përgjigje

Mejreme Berisha – AAK:

Fshatit Koliq i duhet një autobus, sepse është vështirë për banoret e atij fshati për të udhëtuar deri në Prishtinë. Kryesuesi z. Sami Hamiti i përgjigjet se kemi kontaktuar me kompanitë për të lëshuar një linje për fshatin Koliq, por askush nuk është i interesuar, për shkak se janë vetëm 10 familje dhe kompania që e merr këtë linje nuk i mbulon as shpenzimet.

Naime Osmani – LDK:

Kam një pyetje për Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Me inaugurimin e objektit të ri shëndetësor në Besi, çka do të bëhet me lokalin e vjetër, a do të shfrytëzohet për diçka tjetër apo do të rrënohet?.

Shaip Hajrizi – LDK:

Po e ngriti një shqetësim të qytetarëve për rrugën “Xhavit Berisha”, kjo rrugë është shumë e vjetruar dhe duhet riasfaltuar.

Afërdita Veliu – VV:

Kemi ankesa nga qytetarët e Bardhoshit, sa i përket punimeve të disa trotuareve, sepse sipas tyre, kompania nuk po e bënë punën si duhet.

Naim Makolli – AKR:

Një pyetje për drejtorin e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Kemi parë që një familje e pastrehë ka hyrë në ish-kazermën në fshatin Llukar. A keni dëgjuar për këtë dhe nëse po çfarë keni ndërmarr për të ndihmuar këtë familje?, pasi që kam informata se ato 50 banesat që janë shpërndarë vitin e kaluar, po mbahen të mbyllura me qelës.