Mbarëvajtja e fushatës zgjedhore dhe plani për ditën e zgjedhjeve (17 qershor 2012)
15/06/2012Prishtinë, 15 qershor 2012. Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me organizatën Iniciativa për Progres (INPO) kanë monitoruar fushatën parazgjedhore të partive politike për zgjedhjet e parakohshme në komunën e Kaçanikut. Këto dy organizata do të monitorojnë po ashtu edhe ditën e zgjedhjeve (17 qershor 2012).
Mbarëvajtja e fushatës zgjedhore:
Në bazë të raporteve paraprake të vëzhguesve tanë fushata parazgjedhore e partive politike ka qenë në përgjithësi e qetë dhe pa tensione. Në aspektin e veprimeve elektorale, të gjitha partitë kanë treguar pjekuri politike për zhvillimin e fushatës dhe respektimit të rregullave e ligjeve zgjedhore. Tubimet elektorale kryesisht janë paralajmëruar me kohë dhe është marrë leje për mbajtjen e tyre. Vetëm një tubim nga Aleanca për Kosovë të Re (AKR) i mbajtur në fshatin Gjurgjedell nuk është lajmëruar në Komisionin Komunal Zgjedhor. Tubimet janë mbajtur nëpër institucione publike si shkolla dhe shtëpi të kulturës, restorante, kafiteri, nëpër shtëpi private, etj. Gjatë fjalimeve ka pasur kritika e akuza sidomos ndaj partisë në pushtet (PDK-së), por nuk është përdorur ndonjë fjalor i ashpër dhe fyes.
Ndër parregullsitë e vërejtura nga vëzhguesit e D4D-së dhe INPO-s janë:
– Vendosja e posterëve në institucionet publike;
– Dëmtimi i posterëve të subjekteve politike (PDK-së dhe AAK-së);
– Përdorimi i veturave zyrtare nga përfaqësues të institucioneve qeveritare (niveli qendror) që kanë marrë pjesë në aktivitete parazgjedhore.
Plani për vëzhgimin e ditës së zgjedhjeve
Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) në partneritet me Iniciativën për Progres do të kenë vëzhgues në secilën qendër dhe vendvotim në Komunën e Kaçanikut dhe do të raportojnë për çdo parregullsi, vonesë, problem si dhe nivelin e daljes në votime. Po ashtu, drejtues të këtyre organizatave do të jenë në dispozicion të plotë të mediave për gjithçka që ndërlidhet me zgjedhjet dhe procesin zgjedhor për Kryetar të Kaçanikut. Menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit dhe numërimit të votave, misioni vëzhgues do të dalë me rezultatet preliminare për kandidatët.
Përmes këtij njoftimi, ju informojmë mbi planin medial të këtij misioni vëzhgues dhe detajet tjera logjistike rreth komunikimit me media gjatë ditës së zgjedhjeve.
Misioni vëzhgues do të ketë një qendër mediale e cila do të jetë e hapur gjatë tërë ditës së zgjedhjeve duke filluar nga ora 07:00 e mëngjesit. Kjo qendër do të jetë në lokalin Denisi – K që gjendet në bulevardin Ismail Raka.
Gjatë ditës D4D dhe INPO do të lëshojnë komunikata për media (4) dhe një (1) konferencë për shtyp në oraret dhe për çështjet e specifikuara më poshtë:
Ora
08:30 Komunikatë për media: Hapja e qendrave të votimit dhe vendvotimeve si dhe niveli i mbulueshmërisë me vëzhgues
13:00 Komunikatë për media: Dalja në votime deri në ora 12:00
17:45 Komunikatë për media: Daljes në votime deri në ora 17:00
19:30 Komunikatë për media: Dalja në votime deri në ora 19:00 dhe raportim mbi mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe shkeljet të evidentuara gjatë procesit zgjedhor
20:30 Konferencë për shtyp: Rezultatet preliminare për kandidatët për Kryetar të Ferizajt.
Personat përgjegjës për komunikim me media gjatë ditës së zgjedhjeve nga misioni vëzhgues do të jenë: Valmir Ismaili (044-194-738) dhe Kjani Sallahu (044 164 710)