MAPL i përgjigjet pozitivisht kërkesës së INPO-së për respektim të ligjit dhe transparencës nga ana

10/05/2011

Sot INPO ka marrë edhe përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal – MAPL, në shqetësimet dhe kërkesën e INPO-së në lidhje me transparencën dhe hapësirën për publikun në Komitetin për Politikë dhe Financa të Komunës së Prishtinës.

Në një shkresë zyrtare të drejtuar MAPL-së, INPO kishte kërkuar nga kjo e fundit të ndërmarrë të gjitha masat nën kompetencat e Ministrisë që të siguroj se mbledhjet e Komitetit për Politikë dhe Financa të Komunës së Prishtinës dhe komiteteve të tjera pranë Komunës janë të hapura për publikun, OJQ-të dhe mediat e interesuara. Komiteti për Politikë dhe Financa, nuk lejonte qasjen e mediave dhe të OJQ-ve në mbledhjet e këtij komiteti, pa dhënë ndonjë arsyetim zyrtar në lidhje me këtë moslejim dhe pa vendim të shumicës në këtë komitet, siç edhe përcaktohet me nenin 45.3 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.

Në përgjigjen e saj, MAPL kërkon nga Kryesuesi i Komitetit për Politikë dhe Financa “të ndërmarr të gjitha veprimet të cilat ndikojnë që mbledhjet e këtij Komiteti të jenë të hapura për opinionin, ashtu siç parashihet në nenin 45.1 të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale” dhe me akte tjera nënligjore për Transparencën në Komuna.

Kjo shkresë shpjeguese e MAPL-së për Komunën e Prishtinës është një hap progresiv në drejtim të transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes lokale, të Komunës së Prishtinës në veçanti si dhe, një konfirmim se institucionet publike duhet të jenë të hapura dhe në shërbim të publikut ashtu siç edhe përcaktohet me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Mbi të gjitha, është një garanci për sundim të ligjit dhe se ligjet duhet respektuar nga të gjithë, para se gjithash nga ata që i krijojnë ato.

INPO kërkon nga Komuna e Prishtinës dhe komitet në të, që të respektojnë këtë kërkesë të MAPL-së dhe shoqërisë civile dhe të krijojjnë të gjitha kushtet e nevojshme për pjesëmarrje të publikut në punën e Komunës, sepse Komuna është aty për dhe në shërbim të qytetarit dhe jo vetëm të punonjësve në të.

Transparenca dhe llogaridhënia duhet të jenë parimet bazë të punës së çdo institucioni publik, në mënyrë që të ecim suksesshëm drejtë integrimeve evropiane.