Lidhur me Kumtesën e Komunës së Prishtinës ndaj raportit të INPO

13/01/2011

I nderuar z. Gashi,

INPO pasi ka analizuar kumtesën tuaj vlerësojmë se reagimi juaj nuk është bazuar në raportin e publikuar por më shumë në një retorikë politike të shfajsimit dhe jo përgjigjje e bazuar në argumente dhe fakte.

Kemi dëshirë të sqarojmë se INPO nuk ka pretendim a qëllim të dyshimtë siç thoni ju në kumtesë. INPO është një organizatë e pavarur e themeluar në vitin 2005 dhe ushtron funksionin e saj në regjionin e Ferizajt dhe Komunës së Prishtinës dhe ka për qëllim të informoj qytetarët mbi zbatimin e ligjshmërisë.

Po ashtu, dëshirojmë të sqarojmë disa pika që ju i keni theksuar në kumtesën tuaj.

Komuna e Prishtinës thekson “Në raportin e tyre, Interpretimin e Ligjit për Prokurimin Publik (LPP) e bëjnë sipas idesë së vet dhe një metodologjie të pa parë deri tash duke u munduar të flasin për praktikat e zbatuara nga zyra e prokurimit dhe duke cituar pastaj vlerësime të OECD të cilat as që kanë të bëjnë me LPP të Kosovës. Ato praktika edhe mund të jenë më të mira se LPP i aplikueshëm te ne, por ne jemi zbatues të këtij ligji e jo të vullnetit të cilës do palë të interesuar. Për kujtesë të INPO-së, ligjet i miraton Kuvendi i Kosovë. Komuna nuk nxjerr, nuk interpreton ligjin, si pretendon INPO, por e zbaton ashtu si është, duke e përfshirë edhe transparencën”.

Raporti i OECD-së, i përmendur në raport, është një raport shumë profesional ku trajtohet integriteti i prokurimit publik në vendet e zhvilluara. Në këtë raport theksohet se si transparenca dhe integriteti i prokurimit cënohet duke i klasifikuar dokumentet si ‘sekret afarist’. Gjatë intervistimeve të kryera nga INPO, shumë të intervistuar kanë theksuar se u mohohet e drejta të kenë dokumente të ndryshme pasi që Zyra e Prokurimit i klasifikon si ‘sekrete afariste’. Në bazë të raportit të OECD-së sqarohet që sekret afarist kondiderohet vetëm nëse një tender lidhet me sigurinë kombëtare ose dëmton procesin e konkurimit duke bërë publike ofertat gjë që mund të dërgoj në marrëveshje mes aplikantëve. Ndërsa, Ligji i Prokurimit Publik nuk e sqaron mirë se kur mund të shpallet një dokument si sekret por vetëm procedurat e shpalljes. Do të thotë kjo ka qenë lidhshmëria që është bërë në raport mes OECD dhe LPP. Ndersa sa e zbaton Komuna e Prishtinës Ligjin për Prokurim Publik sqarohet nga raporti i auditorit i cili thekson se “Ne kemi gjetur parregullsi të mëdha pothuajse tek çdo prokurim i rishikuar dhe jemi të shqetësuar me shkeljet e ligjit të prokurimit” (Zyra e Auditorit i Përgjithshëm, Raporti final i auditimit të pasqyrave financiare të Komunës së Prishtinës për fundvitin e 31 dhjetor 2009, Prishtinë, Qershor 2010, faqe 8). Poashtu, auditori gjatë vitit 2008 ka vërejtur parregullsi dhe ka bërë 29 rekomandime për Komunën e Prishtinës. Nga këto rekomandime vetëm 5 janë zbatuar pjesërisht ndërsa rekomandimet tjera nuk janë respektuar fare.

Në asnjë pjesë të raportit INPO nuk ka thënë se Zyra e Prokurimit Publik është pjesë e legjislativit. Në këtë pikë ne kemi thënë së nuk ka ofruar informacion për delegatet që
kanë kërkuar një gjë të tillë. Dhe, ky vlerësim është bazuar në intervistimin e tyre.

Për çështjen e planifikimit, INPO e di shumë mirë duke u bazuar në LPP se planifikimi është obligim. Ne kemi thënë se planifikimi ka qenë jo efikas duke u bazuar në raportin e Auditorit Gjeneral të vitit 2009. Po në këtë pikë, kemi cekur disa praktika të mira nga anëtarët e organizatës së OECD në fushën e transparencës së prokurimit publik. Dhe këto vende përdorin planifikimin si mekanizëm matës për punën e zyrtarëve apo vetë zyrës së prokurimit publik dhe se si të përmirësohet ajo. Në këtë rast ju lutemi, të lexoni raportin që ne e kemi publikuar.

Prej të gjitha të gjeturave ju keni cekur vetëm çështjen e kontestit të fabrikës së amortizatorve, ku ju thoni se Komuna e ka luajtur vetëm rolin e ndërmjetsuesit por edhe ky rol ka përgjegjësi për arsye se ju keni zgjedhur kompaninë e gabuar për të ndërmjetësuar.

Po ashtu, ju thoni që INPO nuk është takuar me zyrtarët komunal, gjë që nuk është e vërtetë meqenëse INPO ka realizuar takime për çfarë ekziston evidencë e saktë.

Fakt shqetësues mbetet ajo që Komuna e Prishtinës në paragrafin e parafundit thotë se për shkak të trysnive politike është dashur të përseritet një tender që pothuajse kap vlerën një milion. Ky paragraf tregon dhe vërteton shumë mirë të gjeturat e raportit të INPO-s se Zyra e Prokurimit Publik e Komunës së Prishtinës është jo efikase.