Letër e hapur Kryetarit të Komunës së Ferizajt z.Agim Aliut

25/07/2012

I nderuar z. Aliu

Kuvendi i Republikës së Kosovës në mbështetje të nenit 65.1 të kushtetutës së Republikës së Kosovës , me qëllim të vendosjes së rregullave ligjore për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, miratoj ligjin për rendin dhe qetësinë publike. Neni 8 i këtij ligji, që përcakton bezdisjet publike- shkeljet që kanë të bëjnë me zhurmën thotë se, kushdo që shkakton zhurmë të pa nevojshme dhe të padurueshme që dëgjohet te banorët për rreth apo në rrugë dhe që shqetësojnë personat tjerë nga ora 22:00 e deri në orën 07:00 gjatë ditëve të javës dhe prej orës 23:00 e deri ne orën 07:00 të shtunave dhe të dielave, dënohet për kundërvajtje.

Për më tepër, Në bazë të rregullores mbi mbrojtjen e mjedisit, neni 4 pika E , Komuna e Ferizajt është përgjegjëse për krijimin dhe fuqizimin e masave që kanë për qëllim kontrollin e nivelit të zhurmës dhe vibracionit në territorin e Komunës. Por ndonëse është ora 00:00 e mbrëmjes, lokalet e natës në qytetin e Ferizajt hapin dyert për të pritur klientët e tyre të përhershëm, duke i shoqëruar me një muzikë super të lartë dhe duke u bërë kështu makthi i përnatshëm i banorëve që jetojnë përreth. Në mënyrë të vazhdueshme banorët e ndërtesave përreth shprehen të shqetësuar nga zhurmat e larta që shkaktohen prej lokaleve të natës që ushtrojnë aktivitetin gjatë orëve të vona , por siç duket gjithçka ka rënë në vesh të shurdhët.

Në mënyrë të vazhdueshme pronarët e këtyre lokaleve po lejojnë që muzika e lartë të dëgjohet me të njëjtin volum edhe gjatë ditës. Kështu, dashur pa dashur, muzika e lartë, zhurmat, ato që ndryshe klasifikohen si ndotje akustike, po bëjnë që banorëve të Ferizajt t’iu durimi, sa që ka raste kur banorët kanë kërkuar edhe ndihmën e policisë për ta ndaluar këtë fenomen.
Kështu, përderisa muzika e lartë dhe zhurmat, po bëhen gjithnjë e më shqetësuese për banorët dhe praktikisht askush nuk po mban përgjegjësi. Iniciativa për progres INPO, Me anë të kësaj letre të hapur, shpreh shqetësimin e saj për këtë dukuri degraduese dhe kërkon nga organet komunale të Ferizajt që të zbatojnë përgjegjësitë që dalin nga legjislacioni aktual në Kosovë dhe të marrin masat e duhura kundrejt zhurmës së tepërt që po e shkaktojnë lokalet e natës në qytetin e Ferizajt.