Kuvendi Komunal jo funksional gjatë muajve të fushatës zgjedhore në Ferizaj

29/05/2012

Ferizaj, 29 maj 2012 – Që nga vendimi i Gjykatës Supreme me të cilin ishte konfirmuar dënimi me burg prej 2 vite e gjysmë për ish-kryetarin e Komunës së Ferizajt z. Bajrush Xhemajli dhe procesit të jashtëzakonshëm zgjedhor që pasoi, Komuna e Ferizajt, dhe sidomos institucioni i Kuvendit Komunal thuajse është e paralizuar duke mos qenë fare aktiv. Kuvendi Komunal nuk ka zhvilluar asnjë aktivitet dhe është treguar jo efikas në kryerjen e punëve dhe përgjegjësive që i ka në raport me qytetarët dhe problemet që preokupojnë komunën, të përcaktuara edhe me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale.

Kuvendi i Komunës si organi më i lartë i Komunës i përbërë nga anëtarët e tij të zgjedhur ka rënë në pasivitet të plotë gjatë dy muajve të fundit, respektivisht gjatë muajve prill dhe maj, muaj në të cilët është zhvilluar fushata dhe janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Ferizajt. Gjatë këtyre dy muajve nuk janë thirrur mbledhjet e Komitetit për Politikë dhe Financa dhe ato të Kuvendit Komunal duke vënë në plan të dytë të gjitha aktivitetet e këtij institucioni dhe duke mos i përmbushur obligimet e përcaktuara me ligj.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, kandidat për Kryetar të Ferizajt nuk e ka parë të arsyeshme që para fillimit të fushatës të jap dorëheqje nga ky post dhe, në këtë mënyrë, të mundësojë zhvillimin normal të punës në Kuvendin Komunal që të zgjedh një person tjetër në vend të tij. Për kundër që kjo nuk kërkohet nga Ligji për Vetëqeverisje Lokale apo Ligji për Zgjedhjet Lokale, INPO vlerëson se një akt i tillë do të ishte një shembull i qytetarisë, i kulturës politike dhe respektit për institucionin e Kuvendit Komunal.

Për shkak të “vrapit” për të fituar sa më shumë vota të ferizajasve z. Agim Aliu nuk ka thirrur mbledhjen e KK-së në muajin prill dhe maj duke harruar obligimet ndaj qytetarëve të cilët gjithashtu këtë Kuvend e kanë zgjedhur me votën e tyre të lirë dhe i cili është organi më i lartë brenda komunës. Në anën tjetër nuk ka pasur asnjë iniciativë vetjake nga këshilltarët e Kuvendit që të organizojnë seancat e asamblesë për të shqyrtuar çështje të tjera të rëndësishme të qytetit përveç zgjedhjeve që organizoheshin. Duket se të gjithë këshilltarët komunal kanë mungesë iniciative dhe harrojnë premtimet për përfaqësim të interesave të qytetarëve në nivel lokal.

Kuvendi është i ndarë nga institucioni i Kryetarit dhe si i tillë është i pavarur nga ky i fundit, mirëpo me sa duket kjo gjë nuk funksionon në praktikë, ngaqë nga ky abstenim i Kuvendit Komunal mund të kuptojmë se, në fakt, ky institucion është në raport varësie dhe nënshtrimi ndaj institucionit të Kryetarit. Sipas Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, neni 43.2 Kuvendi i Komunës duhet të mbajë së paku dhjetë seanca në vit, pesë prej të cilave pesë duhet të mbahen gjatë gjashtë muajve të parë të vitit. Nëse Kuvendi neglizhon muajin maj dhe nuk thërret seancën në një afat prej 2 ditësh atëherë nuk do të arrijë të respektojë këtë nen të LVL.

Prandaj INPO i bënë thirrje tashmë Kryesuesit të KK të Ferizajt që aktualisht mbanë këtë pozitë, të thërret mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal, ndërsa ky i fundit të zgjedhë Kryesuesin e Kuvendit Komunal siç përcaktohet me LVL. Më tutje, INPO i bënë thirrje Kuvendit Komunal që të jetë aktiv, të diskutojë dhe ofrojë zgjidhje për problemet e qytetit, dhe përfundimisht të veprojë si institucion i pavarur sikurse edhe përcaktohet me ligj, e jo të jetë edhe një institucion shtesë i Kryetarit të Komunës.