Kryetarët e Komunave nën gjykime e hetime të dorëhiqen!
14/06/2012Prishtinë, 14 Qershor2012- Organizata INPO përcjellë me shumë vëmendje zhvillimet në qeverisjen lokale në Kosovë. Gjatë këtij mandati qeverisës, që ka filluar në vitin 2009, kemi pasur dy kryetar të dënuar nga gjykata, dhe për pasojë dy palë zgjedhje të parakohshme në komunat respektive. Po ashtu, kemi të paktën dy kryetarë komunash që janë në procese gjyqësore, pra duke u gjykuar për vepra penale, e po ashtu edhe kryetar të tjerë që janë nën hetime nga prokuroritë për keq përdorim të detyrës zyrtare, dhe vepra tjera penale.
INPO është e vetëdijshme se “gjithkush është i pafajshëm përderisa nuk ka një gjykim përfundimtar”, mirëpo konsideron se kryetarët e tillë, të cilët janë në gjykim apo nën hetime për vepra të rënda penale, siç janë korrupsioni, kërcënimi dhe keqpërdorimi i detyrës zyrtare duhet të dorëhiqen, nëse jo për arsye ligjore, atëherë për arsye morale e etike.
Me kompetencat e mëdha të ofruara nga Ligji për Vetëqeverisjen Lokale dhe me faktin se zgjidhen direkt nga qytetarët, kryetarët e komunave shpesh herë i tejkalojnë kompetencate tyre dhe kështu shkelin ligjin, mirëpo çka është me shqetësuese se kjo, një numër i caktuar i kryetarëve të komunave shkaktojnë edhe vepra penale të sanksionueshme penalisht. Me gjithë këtë, deri më sot, asnjëri nga këta, duke përfshirë edhe kryetarët tashmë të dënuar, nuk kanë ofruar dorëheqje si aktligjor, moral dhe etik mirëpo kanë vazhduar dhe vazhdojnë të qeverisin sikur gjithçka të jetë në rregull.
INPO konsideron se është koha e fundit, kur kryetarët e komunave që janë në procedura gjyqësore apo hetuese e kanë mundësinë të reflektojnë kulturë politike dhe moralitet politik, pra të dorëhiqen nga postet e tyre e në këtë mënyrë të vendosin shembull pozitiv për sundimin e ligjit dhe për demokratizim të shoqërisë. Në të kundërtën, INPO vlerëson se shkeljet e ligjit nga kryetarët e komunave vetëm sa do të legjitimohen, e me këtë edhe mos respektimi i ligjeve edhe nga vetë qytetarët e komunave respektive. Është parim fundamental i sundimit të ligjit, që secili të jetë i barabartë para tij dhe që ai që promovon dhe kërkon respektim të ligjit nga të tjerët, vetë të respektojë atë.