Kontroll më i madh në zbatimin e kontratave publike

17/07/2008

Ferizaj, 17 Korrik 2008 – Organizata Iniciativa për Progres, ka zhvilluar një hulumtim, në vazhdën e aktiviteteve të saj për transparencë dhe efikasitet më të madh në sektorin e prokurimit të Kuvendit Komunal. Në fokus të hulumtimit kanë qenë kontratat që Kuvendi Komunal ka dhënë disa kompanive, gjegjësisht përmbushja e obligimeve dhe kontrolli që Kuvendi Komunal, ka ushtruar ndaj këtyre kompanive.

Gjatë hulumtimit, kemi arritur të kuptojmë një varg mangësish dhe probleme që e përcjellin fazën pas nënshkrimit të kontratës deri në përfundim të saj, nga kompanitë që kontraktohen nga Kuvendi Komunal, qoftë për shërbime apo për punë të ndryshme. Në radhë të parë, kriter për përzgjedhjen e një kompanie nga ana e Kuvendit Komunal, është çmimi më i ulët, në këtë mënyrë duke mos garantuar kualitet në shërbimet dhe punët që kompanitë kryejnë apo ofrojnë për Kuvendin Komunal. Shembull i kualitetit të dobët të punimeve është ndërtimi i kanalizimit në rrugën “Epopeja e Jezercit”, i cili është bllokuar pas reshjeve të mëdha të shiut, Kuvendi Komunal është detyruar të shpallë përsëri tender për rehabilitimin e gjendjes së krijuar, duke shkaktuar në këtë mënyrë shpenzime edhe më të mëdha për të njëjtën punë.

Më tutje, shumë nga kompanitë nuk përmbushin obligimet e tyre të parapara me kontratë, për shkak të mungesës së kontrollit adekuat nga ana e Kuvendit Komunal për një gjë të tillë. Një tjetër mangësi është edhe pranimi teknik i punëve, ka raste kur edhe nuk ndodh fare, ose në shumicën prej rasteve, një gjë e tillë bëhet nga personat jo profesional ose nga zyrtarët e drejtorive përkatëse që nuk janë përgjegjës për një gjë të tillë.

Përmes këtij hulumtimi kemi arritur në disa konkluzione:

· Kuvendi Komunal, kontrakton punë dhe shërbime me kompani që nuk janë të profesionalizuara dhe nuk janë serioze në punët për të cilat kontraktohen,

· Kuvendi Komunal nuk kontrollon në mënyrë të rregullt, kompanitë në fazën pas nënshkrimit të kontratës e deri në përfundim të punëve,

· Kriteri “Çmimi më i ulët” për përzgjedhjen e një kompanie, në përpjekje për të kursyer buxhetin komunal, vetëm sa e dëmton më shumë atë, pasi që punët që kryhen nga kompanitë që janë përzgjedhur në bazë të këtij kriteri, janë të kualitetit shumë të dobët, saqë ka raste kur për të njëjtën punë Kuvendi Komunal duhet të shpallë tender më shumë se njëherë.

Kërkohet nga Kryetari i Komunës z.Bajrush Xhemaili që të formoj një komision të veçantë për hulumtimin e zbatueshmërisë së kontratave nga kompanitë e kontraktuara më parë dhe të tanishme, të bëjë “listën e zezë” të kompanive që kanë dështuar në përfundimin e projekteve në bazë të standardeve, në mënyrë që të mos u jepet më vonë edhe ndonjë mundësi tjetër për dhënie të kontratës, të ngrejë padi ndaj kompanive që kanë dështuar në përmbushje të kontratës. Shumica e problemeve të hulumtuara janë pjesë e kontratave të dhëna nga pushtetet e kaluara, mirëpo institucioni i komunës duhet t’i përcjellë këto kontrata në vazhdimësi.