Konferenca regjionale me kryetarët e komunave

26/09/2012

Ferizaj, 26 Shtator 2012 – Iniciativa për progres (INPO) sot ka mbajtur një konferencë regjionale me temë: sfidat dhe problemet, zhvillimi ekonomik, përmbushja e kërkesave të qytetarëve, bashkëpunimi që kanë mes vete komunat, si dhe përfitimet nga marrëveshjet që i kanë nënshkruar këto komuna. Konferenca është mbajtur me tre kryetarët e komunave të regjionit të Ferizajt.

Në këtë konferencë të pranishëm ishin z. Agim Aliu kryetar i komunës së Ferizajt, z. Besim Ilazi kryetar i komunës së Kaçanikut dhe z. Rufki Suma kryetar i komunës së Hanit të Elezit. Kryetari i komunës së Shtimes z. Naim Ismajli edhe pse e kishte konfirmuar pjesëmarrjen për arsye të ndryshme nuk ka marr pjesë në këtë konferencë.

Në këtë konferencë e cila kishte për qëllim që këto komuna të thellojnë bashkëpunimin në mes vete, u diskutua për të arriturat që i kanë bërë këto komuna, si dhe për probleme të ndryshme që janë ende evidente nëpër këto komuna. Poashtu u diskutua edhe për të hartuar projekte të përbashkëta komunale, që sjellin dobi për qytetarët e të gjitha këtyre komunave.
Ndër projektet e përbashkëta që mund të bëjnë këto komuna është impianti për grumbullimin e ujërave të zeza në komunën e Hanit të Elezit. Poashtu në konferencë u diskutua edhe për ndërtimin e një deponie mbeturinash, ku do të grumbullohen mbeturinat nga të gjitha komunat e këtij regjioni.

Diskutime kishte për probleme të ndryshme, mirëpo një vëmendje e madhe iu kushtua dëmtimit të pyjeve i cili iu është bërë pyjeve të rajonit të Ferizajt dhe ende po vazhdohet t’i behët.

Në fushën e zhvillimit ekonomik, kryetari i komunës së Ferizajt z. Aliu theksoi që komuna e Ferizajt e ka bërë një hap shumë të rëndësishëm për lehtësimin e biznesit, ku ka hequr taksën e veprimtarisë së biznesit. Z. Aliu në këtë konferencë iu rekomandoj edhe kryetarëve të komunave tjera të ndjekin shembullin e komunës së Ferizajt për lehtësimin e veprimtarisë së bizneseve.
Kryetari i komunës së Kaçanikut z. Ilazi kërkoj nga të gjitha komunat të kenë bashkëpunim në zhvillimin e aspektit rural, ndërsa kryetari i komunës së Hanit të Elezit z. Suma theksojë që përmes zhvillimit të turizmit është një rrugë shumë e mirë e zhvillimit ekonomik.
Gjatë kësaj konference u vrenjtë edhe një bashkëpunim që kanë mes veti këto komuna. Në fushën e shëndetësisë është një bashkëpunim shumë i mirë. Poashtu bashkëpunimi në mes të komunës së Kaçanikut dhe Hanit të Elezit në fusha të ndryshme si të zjarrfikësve dhe marrëveshje të ndryshme jo formale.