Komunikatë për media
11/05/2011Organizata INPO ka përcjellë me kujdes kundër reagimet e kryetarit Xhemaili ndaj reagimit tonë për refuzim dhe mospërfillje të kryetarit Xhemaili ndaj organizatës sonë. Organizata INPO qysh prej mandatit të parë të Kryetarit Xhemaili, kishte pasur raporte konstruktive me këtë të fundit duke dhënë kontribut të çmuar për forcimin e demokracisë dhe parimeve të transparencës në punën e komunës së Ferizajt dhe përfaqësimin e interesave të qytetarëve të Ferizajt. Mirëpo Kryetari Xhemaili ndryshoi këtë qasje bashkëpunuese dhe vendosi të injoroi organizatën INPO në çdo raport zyrtar me institucionin e Kryetarit. Ai akuzon INPO-në se e ka shpallur atë persona non-grata, kur gjatë zgjedhjeve të 2009, INPO publikoi Raportin me të dhëna nga hulumtimi i Biografive të kandidatëve për poste publike, në të cilin Kryetari Xhemajli së bashku me 9 persona të tjerë të partive të ndryshme është evidentuar në listën e personave të cilët ishin përballur dhe kishin probleme me ligjiet e Republikës së Kosovës dhe si të tillë nuk meritonin votën e qytetarëve të Ferizajt për të qeverisur me qytetin e Ferizajt. Nuk është në mandatin e INPO-së as të ndonjë OJQ-je të shpallë dikënd, aq më pak një Kryetar komune persona non-grata apo person të padëshiruar. Persona non-grata mund të shpallin dikënd vetëm institucionet shtetërore dhe ky parim vlenë vetëm në marrëdhëniet ndërkombëtare ndërmjet shteteve jo për çështje të qeverisjes lokale. Ajo çka INPO kishte kërkuar, pas shpalljes së vendimit të Gjykatës së Qarkut për dënim të Kryetarit Xhemaili për vepër penale, ka qenë thjeshtë një dorëheqje morale, si shenjë e përkushtimit ndaj sundimit të ligjit dhe të parimeve demokratike të mishëruara në to. Të gjithë punonjësit publik, aq më shumë një Kryetar Komune si në rastin e Kryetarit Xhemaili, duhet të jenë shembull i respektimit të ligjit dhe të vendimeve të Gjykatave dhe jo të bëjnë të kundërtën. Ligjet duhet respektuar, parasegjithash, prej atyre që i krijojnë ato dhe zyrtarët publik duhet të japin shembull të mirë për qytetarët të cilët i përfaqësojnë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë të bëhemi pjesë e familjes evropiane të kombeve të civilizuara. Kryetari Xhemaili duhet të krijoj hapësirën për bashkëpunim reciprok dhe konstruktiv me të gjithë përfaqësuesit e shoqërisë civile në Ferizaj dhe të mos zbatoj praktika selektive, sikurse kanë bërë kryetarët paraprak.