Komunikatë për media

14/12/2011

Ferizaj/ 14 dhjetor 2011 INPO në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit në kuadër të projektit për “Qeverisje të mirë dhe llogaridhënie” ka realizuar aksionin për vendosjen e Kutive të Ankesave në shtatë shkolla të mesme dhe tri shkolla fillore (shkollat fillore me numrin më të madh të nxënësve, përkatësisht: Sh.f. “Gon Serreçi”, sh.f. “Jeronim de Rada” dhe sh.f. “Vezir Jashari”) të qytetit të Ferizajt. Në prag të përfundimit të gjysmëvjetorit të parë nxënësit e shkollave të mesme dhe fillore të Ferizajt do të kenë mundësinë që në mënyrë të fshehtë t’i shprehin ankesat dhe pakënaqësitë e tyre duke përdorur Kutitë e Ankesave të cilat deri më tani kanë munguar në institucionet shkollore.

Ankesat të cilat do të hidhen në kuti, do të shqyrtohen çdo muaj nga INPO së bashku me Drejtorinë e Arsimit dhe drejtorët e shkollave me ç’rast do të bëhet përpjekje që nxënësve t’u ofrohet zgjidhje e problemeve me te cilat ata ballafaqohen vazhdimisht.

Aktivistë të organizatës gjatë tërë vitit 2011 kanë monitoruar Drejtorinë e Arsimit dhe shpesh herë kanë kërkuar zgjidhjen më të shpejtë të problemeve me të cilat përballen nxënësit apo edhe vet mësimdhënësit por kësaj here dëshirojnë të dinë më nga afër problemet e secilit nxënës. Kështu, Kutia e Ankesave do të shërbeje si një mundësi e detektimit të problemeve nga vetë nxënësit ku më pas këto ankesa përmes INPO-s do të shqyrtohen dhe do t’iu adresohen organeve kompetente për zgjidhje.