Komuna e Prishtinës nuk i raporton në afat ligjor shpenzimet e buxhetit të vitit të kaluar
25/03/2016Organizata joqeveritare INPO, shpreh shqetësim ndaj mospërfshirjes së Raportit financiar për vitin 2015, në rendin e ditës të seancës së konvokuar për 30 mars të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Sipas Ligjit NR.03/L-048 për Menaxhimin e Financave Publike dhe përgjegjësitë, neni 46.1 dhe 46.2, kryetari i komunës obligohet që të përgatisë dhe të dorëzoj në Kuvend një raport përfundimtar përmbledhës të buxhetit për vitin e kaluar fiskal dhe dy vitet paraprake fiskale jo më vonë se 31 mars të vitit çdo viti kalendarik .
Me këtë Ligj, raporti parashihet të pëmbajë: mbishikimin e të ardhurave dhe shpenzimeve faktike; mbishikimi i ndonjë deficiti ose suficiti buxhetor si dhe mënyra se si është financuar deficit ose si është investuar suficiti; të ardhurat faktike, të identifikuara sipas llojit, të organizatave buxhetore të krahasuara me parashikimet përkatëse në cilat janë përfshirë në buxhet; shpenzimet faktike në lidhje me secilën kategori të shpenzimit krahasuar me ndarjen buxhetore për atë kategori, dhe shpenzimin faktik për atë kategori gjatë vitit të kaluar kalendarik; të ardhurat e defikuara faktike të pranuara, të identifikuara sipas llojit, dhe shpenzimet faktike, sipas klasifikimit, nga ndarjet buxhetore për të ardhurat e dedikuara; dhe numri faktik i punonjësve të përhershëm dhe të përkohshëm të organizatave buxhetore krahasuar me numrat e autorizuar në buxhet; pagesat faktike të interesit ose shumave në natyrën e interesit në borxh, etj.
Në mbledhjen e dytë të Kuvendit Komunal, Kryetari i Komunës së bashku me Kryesuesin nuk e kanë propozuar fare në rend dite shqyrtimin e këtij raporti.
Mos prezantimi i raportit përfundimtar lidhur me shpenzimin e buxhetit të vitit të kaluar përbën shkelje të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë NR.03/L-048, Statutit të Komunës së Prishtinës si dhe është në kundërshtim me parimet e qeverisjes së mirë dhe demokratike.
Sipas nenit 69.1 Kuvendi i Komunës së Prishtinës pas propozimit të Komitetit për Politikë dhe Financa (KPF), duhet të miratoj raportin vjetor punës së kryetarit të Komunës, më së largu deri më 31 mars të vitit vijues. Kësisoj, as ky obligim statutar nuk do të zbatohet nga Kuvendi i Komunës, bazuar në rendin e ditës të seancës së dytë.
INPO-ja, vlerëson se mosrespektimi i urdhëresave ligjore lidhur me raportimin financiar, si dhe injorimi i statutit, si akti më i lartë juridik i komunës përbën një veprim që bie ndesh me praktikën e qeverisjes së mirë dhe në të njëjtën kohë shpërfaqë mosgatishmërinë e Komunës për llogaridhënie dhe transparencë karshi Kuvendit dhe qytetarëve.
Veprimet kësisoj, të kryetarit të Komunës z. Shpend Ahmeti, INPO i vlerëson recidiviste, duke pas parasysh se në të njëjtën mënyrë është vepruar më 2015, kur ai nuk ka raportuar fare para Kuvendit për situatën ekonomike-financiare të Komunës.
Prandaj, INPO i bën thirrje kryetarit të Komunës z. Shpend Ahmeti, që të angazhohet në zbatimin e obligimeve ligjore dhe statutare, të cilat e ngarkojnë me përgjegjësi në ushtrimin e kompetencave të tij. Ai duhet të përkushtohet në vendosjen e marrëdhënieve të ndërsjella të kontrollit dhe llogaridhënies në mes të Ekzekutivit dhe Kuvendit Komunal, gjithnjë konform Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe praktikave të qeverisjes së mirë.