Komuna e Prishtinës duhet të ndërmarrë masa preventive që të parandalojë fatkeqësi të mundshme
30/09/2011Duke marrë si shkas nga incidenti i fundit i rrëshqitjes së dheut tek objekti dyzet katesh në lagjen “Lakërishte” në Prishtinë, i cili incident seriozisht ka rrezikuar jetën dhe pasuritë e qytetarëve, INPO shprehë shqetësimin e saj lidhur me qasjen e Komunës së Prishtinës ndaj situatave me rrezikshmëri të lartë në qytet. Komuna e Prishtinës vazhdon t’i injoroj paralajmërimet e shumta për rreziqe të cilat vijnë si nga qytetarët, gazetarët dhe shoqëria civile, duke reaguar vetëm pasi të shkaktohen pasojat. Në afërsi të vendit ku është bërë shembja, brenda qytetit, është ndodhur një pikë karburantesh cila pas shembjes së dheut ka rrezikuar të shkaktojë pasoja të rënda. Ka qenë ndërhyrja e shpejtë dhe zbrazja e karburanteve i cili ka parandaluar ndonjë fatkeqësi të mundshme.
INPO i rikujton komunës se në qytetin e Prishtinës ka disa situata të cilat paraqesin rrezik për qytetarët dhe duhet të adresohen urgjentisht. Ato përfshijnë pompat e benzinës të vendosura brenda qytetit, siguria e ndërtimeve pa leje por edhe e atyre me leje dhe në fund kabllot e rrymës elektrike.
Legalizimi ndërtimeve pa leje është një proces i cili është duke u përcjellë me probleme të shumta dhe ngecje të mëdha. Problemi më i rëndësishëm në këtë proces është se komuna nuk është duke bërë inspektimin detaj të objekteve të cilat i legalizon për të vërtetuar se ato janë të sigurta për përdorim nga qytetarët. Ky proces është detyrë e komunës në bazë të Ligjit për Ndërtim (Ligji numër 2004/15), nenet 49, 51, 58 dhe Rregullores Komunale për trajtimin e Ndërtimeve pa Leje. Komuna duhet të sigurohet se objektet të cilat legalizohen kanë qëndrueshmëri mekanike dhe stabilitet, por edhe elementet tjera të sigurisë si mbrojtje nga zjarri, evakuimi, mundësia e ndërhyrjes shpejtë, vibrimet etj. Kosova është qendër shumë aktive sizmike e cila goditet shpesh nga tërmete të fuqishme andaj duhen punë e komunës në këto fusha në mënyrë që të mos shohim në Kosovë pamjet e disa vendeve të rajonit.
Pikat e karburanteve brenda qytetit paraqesin një tjetër rrezik permanent për qytetarët. Në një performancës të INPO-s para komunës zyrtarëve përgjegjës u është bërë me dije për rrezikun e këtyre pompave, madje duke u treguar edhe me fotografi. Këto fotografi kanë përfshirë edhe pompën në afërsi të objektit ku ka ndodhur shembja e dheut. Për më tepër, njëzet e tre (23) pompa tjera janë të vendosura në brendësi të qytetit.
Në anën tjetër janë kabllot e rrymës elektrike të cilët po ashtu paraqesin rrezik konstant për qytetarë. Kyçjet e shumta ilegale dhe kyçja tjera jashtë standardeve po ashtu janë shumë problematike dhe i ekspozojnë qytetarët ndaj rrezikut. Edhe për këtë problematikë INPO i është drejtuar komunës duke i paraqitur të gjitha të dhënat për pjesët e qytetit ku qytetarët ekspozohen ndaj këtij problemi. Edhe në këtë rast Komuna e Prishtinës ka injoruar këto të dhëna.
Andaj, INPO i bënë thirrje Komunës së Prishtinës që në mënyrë urgjente të adresojë këto probleme që rrezikojnë jetën dhe pasurinë e qytetarëve. Nuk duhet pritur pasoja fatale në mënyrë që komuna të adresojë këto rreziqe.