Komuna e Mitrovicës së Veriut anulon kundërligjshëm tri herë tenderin duke tentuar të favorizoj operatorë ekonomik të caktuar

07/06/2021

Prishtinë, 7 qershor 2021 – INPO reagon ashpër ndaj shkeljeve ligjore dhe procedurale në procesin e prokurimit publik të komunës së Mitrovicës së Veriut dhe kërkon që organet e drejtësisë dhe autoritetet kompetente të mbajnë përgjegjës dhe llogaridhënës zyrtarët e përfshirë.

Në vazhdën e monitorimit sistematik të prokurimit publik, INPO ka gjetur së komuna e Mitrovicës së Veriut, në kundërshtim të plotë me Ligjin për Prokurim Publik (LPP) ka anuluar 3 herë një aktivitetet të prokurimit dhe ka injoruar vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Aktivitetin e Prokurimit “Përpunimi dhe revitalizimi i fasadeve të ndërtesave shumëkatëshe të banimit, të ashtuquajturat Staro Berilje në Rrugën Kralj Petar I në Mitrovicën e Veriut” me numër të prokurimit 647-20-4465-5-1-, komuna e ka publikuar më 21.08.2020. Vlera e parashikuar për këtë aktivitet ishte 592,042.14€.

INPO ka gjetur se për këtë tender komuna në kundërshtim me LPP-në kishte shkurtuar afatet kohore për ofertim, ku si pasojë vetëm dy (2) grupe të operatorëve ekonomik, respektivisht “Limit L&B&EUROING” dhe “RAD D.O.O&A.B.C.” kishin dorëzuar ofertën për tender. Komuna në kundërshtim me LPP-në dhe kërkesat e dosjes së tenderit kishte eliminuar operatorin ekonomik “Limit L&B & EUROING”, i cili kishte ofertuar me çmimin më të lirë, apo rreth 190 mijë euro më lirë se operatori tjetër. Pas ankesës së parashtruar në OSHP nga operatori ekonomik i eliminuar “Limit L&B & EUROING”, OSHP-ja më 15.10.2020 kishte nxjerrë vendimin PSh.Nr.687/20, ku konstaton se arsyet e elimiminimit të opearatorit ankues janë të pabazuara dhe obligon komunën që lëndën ta kthej në rivlerësim.

Pas analizimit të rrjedhës së këtij procesi, INPO ka gjetur se komuna nuk ka zbatuar vendimin e OSHP-së, dhe më 20.10.2020 në kundërshtim me LPP-në ka anuluar në tërësi aktivitetin e prokurimit, me arsyetimin se ka gabime në projekt dhe për këto veprime nuk e ka njoftuar fare OSHP-në, ashtu sikur është e obliguar me ligj.

INPO gjen se pas 7 dite, respektivisht më 27.10.2020, komuna e ri-tenderon të njëjtin aktivitet të prokurimit (aktivitetei i prokurimit, Nr.647-20-6869-5-1-1). Madje, edhe në këtë proces të ri-tenderimit komuna kishte shkurtuar afatet për ofertimin në kundërshtim me LPP-në. Kësaj radhe, tre (3) grupe të OE-ve dorëzojnë ofertë, përshirë edhe “Limit L&B & EUROING” dhe “RAD D.O.O&A.B.C.”, të cilët kishin ofertuar edhe në tenderimin e parë.

Bazuar në procesverbalin e hapjes, dy grupet e OE-ve, kishin ofertuar me çmim më të ulët se grupi i OE-ve “RAD D.O.O&A.B.C.”, dhe përsëri komuna kundërligjshëm më 25.11.2020 anulon aktivitetin e prokurimit, duke u arsyetuar se ka pasur ndryshime të situatës në terrenin ku do të kryheshin punimet.

Më 30.11.2020, komuna vendos të ritenderoj për herë të dytë këtë aktivitet. Ofertuesit përsëri ishin të njëjtë, pra, “Limit L&B & EUROING” dhe “RAD D.O.O&A.B.C.”. Edhe në këtë tender operatori “Limit L&B & EUROING” kishte ofruar çmimin më të lirë, sipas kritereve të dosjes së tenderit.

Duke e parë këtë situatë, komuna përsëri anulon aktivitetin e prokurimit në kundërshtim të plotë me ligjin dhe rregullat e prokurimit, anulim të cilin tenton ta përligj me arsyetimin se “reshjet e mëdha të shiut dhe temperaturat e ulëta nuk lejojnë që punimet të fillojnë sipas kushteve të kontratës”.

Bazuar në këto gjetje dhe të dhëna, INPO me arsye dyshon në keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar të zyrtarëve përgjegjës në komunën e Mitrovicës Veriore përmes prokurimit dhe favorizim të kompanive të caktuara për interesa të caktuara të cilat duhet të hetohen me kujdes nga ana e institucioneve përkatëse.

Thënë më ndryshe, veprimet e komunës së Mitrovicës së Veriut, ngrisin dyshim të arsyetuar, se komuna ka pasur për qëllim të shpërblej kontratë operatorin “RAD D.O.O&A.B.C.”, duke eliminuar, si të papërgjegjshëm, operatorin “Limit L&B & EUROING” dhe duke vepruar tërësisht në kundërshtim me LPP-në, i cili parasheh në mënyrë taksative se në cilat faza dhe për cilat arsye mund të anulohet një aktivitet i prokurimit.

Tutje, se komuna me këto veprime ka shfaqur tendencë të plotë për të favorizuar operatorin “RAD D.O.O&A.B.C.”, është edhe fakti se ky operator ka përfituar rreth 55% të buxhetit të shpenzuar nga komuna përmes prokurimit, respektivisht vetëm gjatë vitit 2020, ky operator ka përfituar mbi 1.5 milion euro përmes 15 kontratave, nga gjithsej 39 që ka lidhur komuna.

Në këtë drejtim, INPO fton autoritetet relevante, siç është Komisioni Rregullativ për Prokurimin Publik (KRPP), që të veproj në përputhje me mandatin e saj ligjor dhe të revokoj certifikatën e prokurimit zyrtarit të prokurimit, si dhe fton OSHP-në që të shqiptoj gjobë ndaj komunës për moszbatimin e vendimit PSh.Nr.687/20.

Po ashtu, Ju bëjmë thirrje organeve të ndjekjes që të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme sipas kompetencës së tyre ndaj zyrtarëve që kanë lejuar shkeljen e dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik dhe të sigurojnë sundimin e ligjit në shpenzimin e parasë publike dhe  parandalimin e praktikave diskriminuese dhe favorizuese ndaj kompanive të caktuara dhe në dëm të interesit publik.