Komuna e Gjilanit keq-përdorë paratë e qytetarëve për t’i akomoduar ish-zyrtarët e saj

07/08/2013

Ferizaj, 08 Gusht 2013 – Komuna e Gjilanit harton rregullore aristokrate për kompenzimin e pagës të ish-zyrtarëve të lartë të komunës duke mos respektuar nenin 17 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, i cili thekson se paratë publike do të përdoren vetëm për qëllime të miratuara publike dhe se asnjë autoritet publik, organizatë buxhetore, person apo ndërmarrje nuk mund të devijojnë, keqzbatojnë, ekspozojnë apo të përdorin në mënyrë të pa rregullt paratë publike.
INPO në kuadër të procesit të monitorimit që i bënë disa komunave të Kosovës, ka hasur ne një rregullore të kuvendit komunal të Gjilanit për kompenzimin e pagave për ish zyrtarët e lartë të komunës që është miratuar më 15.07.2011 e cila synon të rregullojë mënyrën e kompenzimit të ish-zyrtarëve të lartë për kontributin e tyre dhënë komunës së Gjilanit.
Ky vendim i pamenduar mirë dhe në disproporcion me nevojat e qytetarëve, ka bërë komuna e Gjilanit të përbëjë një përjashtim duke vendosur që ish-stafin politik që ka shërbyer më parë në komunë ta akomodoj me pagë edhe pas skadimit të mandatit, pikërishtë në këtë peirudhë të krizës ekonomike që e ka kapluar tërë rajonin dhe ka shtyer shumë shtete evropiane që të ndërmarrin masa kursimi dhe të shkurtojnë pagat e personelit.
Përderisa kriza ekonomike po vazhdon të thellohet dhe problemet me zhvillimin e ulët ekonomik, papunësinë dhe mungesën e mjeteve për realizimin e projekteve kapitale përbëjnë problemin më serioz për komunat e Kosovës, INPO vlerëson se hartimi i kësaj rregullore për kompenzimin e pagave të ish-zyrtarëve të lartë të komunës nuk është e arsyeshme dhe dëshmon se pushteti komunal po i tejkalojnë kufinjët e keqmenaxhimit dhe se paratë e taksapaguesve nuk po përdoren për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por për të rritur luksin dhe komoditetin e atyre që kanë udhëhequr dhe vazhdojnë të udhëheqin me komunat.
Kuvendi komunal i Gjilanit duke marrë vendim për miratimin e kësaj rregullore për kompenzimin e pagave për ish-zyrtarët e lartë të komunës ka devijuar nga misioni që ka për mbrojtjen e parasë publike dhe ka keq-përdorur besimin e qytetarëve. Gjithashtu është shumë shqetësues fakti se në këtë mes zëri i qytetarëve, si kontribuesit kryesor të taksave nuk është marrë aspak parasysh.
INPO konsideron se për miratimin e një rregulloreje të tillë, ku zyrtarët komunal vendosin që ta akomodojn vetvetën me marrjen e pagës nga buxheti i komunës edhe pas skadimit të mandadit të tyre në institucionet komunale, është dashur që të ftohen qytetarët e Gjilanit në një dëgjim publik dhe të merret parasysh vullneti i tyre, por kurrsesi të miratohet një rregullore e tillë tipike ‘aristokrate’.
Kjo mënyrë e të qeversurit, ku qytetari nuk dëgjohet dhe as nuk pyetet lë shumë për të nënkuptuar, prandaj INPO i fton qytetarët e Gjilanit që të përdorin të gjitha format demokratike të veprimit politik për t’ia pamundësuar pushtetit miratimin e dokumenteve që e shtyjnë komunën e tyre në keqmenaxhim të taksave të tyre dhe që nuk përkojn me vullnetin e qytetarëve.
INPO u bënë thirrje institucioneve përgjegjëse që kësaj situate t’ia kushtojnë vëmendjen e duhur dhe të kërkojnë nga komuna e Gjilanit që të hartojë politika zhvillimore që garantojnë zhvillim ekonomik dhe shfrytëzim të drejtë të parasë publike, e jo keqmenaxhim nga pushtetarët duke shpërblyer vetveten.
Përmes këtij reagimi INPO kërkon nga kuvendi komunal i Gjilanit që në mbledhjen e ardhshme të debatohet për shfuqizimin e kësaj rregulloreje. Gjithashtu INPO i bënë thirrje edhe Kuvendit të Kosovës që përmes komisioneve parlamentare të kërkojë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal që të vendosë përmes ndonjë Udhëzimi Administrativ, normat dhe kushtet përmes të cilave zyrtarët komunal mund të kompenzohen dhe të mos-lejojë që edhe më tutje buxhetet e pa-mjaftueshme të komunave të përdoren nga zyrtarët për ta shpërblyer vet-veten dhe bashkpartiakët.