Komuna e Ferizajt të rikonfirmon mandatin e drejtorëve dhe Kryetari të funksionalizojë kabinetin e t

15/06/2012

Edhe pas dy javësh nga përfundimi i procesit zgjedhor dhe një jave nga marrja e detyrës nga kryetari i posa zgjedhur ende nuk kemi një rikonfirmim të mandatit të drejtorëve të drejtorive komunale apo një ri- konfigurim të qeverisë komunale. OJQ INPO konsideron se kjo zvarritje sa është pa nevojshme po aq është edhe me pasoja në funksionalizmin e kabinetit të kryetarit të ri. Mbajtja pezull e vazhdimit të kontratave dhe mundësisë së ndërrimit të drejtorëve zvogëlon performancën e punës së tyre dhe nuk lejon fillimin e mbarë të punës pas ndërrimit të kryetarit në komunën e Ferizajt.

INPO vlerëson si të dëmshëm vonesën për ri- konfirmimin e qeverisë komunale në kohën kur në opinion dëgjohen shumë variante për formimin e koalicioneve ndërpartiake për një qeverisje të re në komunën e Ferizajt. Para se ta zgjedhin rrugën e koalicioneve të fshehta, si kryetari ashtu edhe partitë politike është dashur të jenë transparentë para qytetarëve, t’i bëjnë publike parimet e koalicioneve të reja eventuale, e jo koalicionet të bëhen në dëm të vendeve udhëheqëse të cilat po përdoren si mjete kusuritjeje për plotësimin e ambicieve personale, individuale dhe partiake.

Kryetari i ri i Ferizajt duhet të ketë një plan të qartë te krijimit të kabinetit të tij sepse rritja ose zvogëlimi i të numrit të drejtorive do të thotë ndryshim i menjëhershëm në planifikimin e buxhetit komunal. Krijimi i drejtorive të reja duhet të shtojë efikasitetin për shërbime më të mira publike por mos të harrojmë se një akt i tillë do të rriste edhe numrin e të punësuarve në nivelin ekzekutiv e me këtë, në mënyrë paralele edhe shpenzimin e buxhetit në kategorinë e pagave. Planifikimi i buxhetit për secilën drejtori duhet të jetë në proporcion me nevojat e qytetarëve të cilët i përfaqëson drejtoria përkatëse, prandaj INPO i bën thirrje Kryetarit që në afat kohor sa më të shpejtë këtë vendim ta diskutojë edhe në Kuvendin Komunal për të marrë mendimin edhe të këshilltarëve komunal sepse ndryshimi i drejtorive duhet t’i shpreh nevojat e qytetarëve dhe të zhvillimit të komunës.