Klubi i debatit “Activa” pjesëmarrës në turnamentin e debatit Karl Popper “Prishtina Open 2011”

12/12/2011

10-11 Dhjetor 2011/ Prishtinë/ Për të gjashtën herë me radhë klubi i debatit “Activa” (INPO) merr pjesë dhe mbërrin në finale të garave të debatit në formatin Karl Popper.

Kësaj radhe nikoqir i turnamentit ishte organizata YIHR me mbështetjen e SOROS-it ku për temë të përgjithshme u debatua mbi Liritë dhe të Drejtat e Njeriut. Turneu gjithsej pati 6 raunde debati prej të cilave tri kualifikuese në ditën e parë më 10 dhjetor dhe çerekfinalja, gjysmëfinalja e finalja më 11 dhjetor 2011. Debatuesit u ballafaquan me katër rezoluta të ndryshme:

1. “Mediat duhet të kenë lirinë e pakufizuar të shprehjes”;

2. “Kosova duhet të lejojë martesat në mes homoseksualëve”;

3. “Kriminelët e luftës duhet të gjykohen në vendin e origjinës”;

si dhe tema e debatuar në finale “Universiteti i Prishtinës nuk duhet të ketë përqindje të rezervuar për komunitetet e Kosovës”.

Fitues i Turnamentit u shpall grupi “iHithat” nga Prishtina me përbërje prej Dren Shabanit, Aurora Popva dhe Endrit Dibranit, kurse vendin e dytë e morën Elona Gashi, Denis Dalladaku dhe Agnesa Bucaliu nga grupi “ATA 3”- Ferizaj. Si folësja më e mirë e turnamentit u zgjodh Lirika Demiri nga klubi i debatit “Activa”.

Klubi i debatit “Activa” në mënyrë të vazhdueshme punon për zhvillimin e kulturës debatuese, zhvillimin e mendimit kritik dhe rritjen e vetëdijes së të rinjve për dukuritë e shoqërisë të cilat i prekin drejtëpërdrejtë ata. Në kuadër të punës tonë mbi 80 nxënes të shkollave të mesme janë pjesë e programit të debatit. Madje ata kanë marrë edhe iniciativa vetjake për formimin e klubeve të debatit të strukturuar K.P në shkollat e mesme publike, Gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” dhe Shkollën e Mesme Ekonomike “Faik Konica”. Gjithashtu krijimi i ekipeve nga komuniteti RAE është një hap i rëndësishëm i integrimit të nxënësve nga ky komunitet në organizimet e këtij lloji. Rritja e rrezes së rrethit debatues dhe rritja e cilësisë së debatit është dëshmitar i sukseseve të klubit debatues ferizajas “Activa”.

Nga gjashtë turnamenet e organizuara “Activa” është tri herë kampione dhe dy herë pjesëmarrëse e turnamentit ndërkombëtar të debatit “Youth Forum” në Amsterdam dhe Stamboll.