Kërkohet ndërhyrje për zhblokim të vendbanimeve dhe për të marrë masa nga rreziku i përmbytjeve

06/02/2012

Prishtinë, 6 Shkurt 2011 – INPO ka përcjellë me shqetësim zhvillimet e reja në komunat në Kosovë dhe veçanërisht në komunat nën monitorim të saj pas vazhdimit të reshurave të borës dhe paralajmërimeve për përkeqësim të situatës në ditët në vazhdim. Gjendja e krijuar është shumë e vështirë dhe organet komunale janë të pa-afta për të zgjidhur këtë situatë të rëndë, andaj INPO i bënë thirrje nivelit qendror për të ndërhyrë me tërë kapacitetet në dispozicion në mënyrë që të përballohet një gjendje e tillë dhe të merren masa parandaluese nga përmbytjet të cilat mund të pasojnë pas ngritjes së temperaturave dhe, rrjedhimisht, shkrirjes së borës.

Monitoruesit e INPO-s nga këto komuna raportojnë për bllokimin e shumë fshatrave dhe paralizim të jetës. Kjo ka ndikuar që në shumë fshatra të mos funksionojnë qendrat e mjekësisë familjare apo çfarëdo shërbimi tjetër mjekësor; të ketë probleme në lidhje me furnizimin me artikuj ushqimor dhe lëndë djegëse. Në këtë mënyrë edhe vetë jeta e qytetarëve është në rrezik, sidomos nga mungesa qasjes në shërbime mjekësore apo përballimi i reshjeve dhe temperaturave nga shtresa te varfra.

Për të shmangur pasojat fatale të cilat mund të rezultojnë nga një gjendje e tillë është e domosdoshme që të ndërhyjë niveli qendror duke aktivizuar tërë kapacitetet e tij. Kjo duke përfshirë kontraktimin emergjent të kompanive shtesë, shërbimin e zjarrfikësve, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe trupat tjerë brenda aparatit të shtetit. Për më tepër, mund të konsiderohet edhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, praktikë të cilën e kanë ndjekur disa vende fqinje por edhe disa komuna brenda Kosovës.

Për më tepër, vendit i kanoset rreziku i përmbytjeve pas përmirësimit të temperaturave të cilat pritet të ndodhin javët e ardhshme. Ky rrezik duhet të adresohet urgjentisht dhe të shikohen zgjidhje për përballimin e këtyre përmbytjeve të mundshme. Niveli qendror por edhe ai lokal duhet të fillojnë të ndërmarrin masat në këtë drejtim, në fillim duke identifikuar zonat më të rrezikuara dhe duke njoftuar banorët për të tërhequr pasuritë të cilat mund të dëmtohen dhe në anën tjetër të ndërmerren masa për mbrojtjen e atyre zonave.

Gjithashtu INPO u bënë thirrje organeve komunale të konsiderojnë nisjen e procedurave për shkelje të obligimeve kontraktuese ndaj operatorëve ekonomik të cilët janë përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugëve. Është e kuptueshme nga të reshurat e fundit se operatorët e kontraktuar nuk i kanë përmbushur obligimet e tyre dhe kanë dështuar të mirëmbajnë rrugët pas fillimit të reshjeve të dëborës.