Kerkese per hapje te Komitetit per Politike dhe Financa

24/03/2011

I nderuari z. Sami Hamiti Me rrespektin më të lartë për ju dhe institucionin që ju përfaqësoni, përmes kësaj shkrese INPO kërkon nga ju, që sa më parë të merret vendim për ti lejuar qytetarët, shoqërinë civile si dhe mediat të jenë pjesëmarrës në takimet të cilat i zhvillon Komiteti për Politikë dhe Financa, sepse mbyllja e dyerve të këtij Komiteti është në kundërshtim me ligjin dhe me rregulloret të cilat janë aprovuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës.Ne mendojmë se në takimet e Komitetit për Politikë dhe Financa nuk diskutohet për çështje të cilat janë sekrete për publikun e gjerë dhe nuk duhet të jenë, sepse ne besojmë se qytetarët janë faktori kryesor dhe më i rëndësishëm i institucioneve të cilat ju po i përfaqësoni.

Gjithashtu, ne kërkojmë që për çdo takim të Komimetit për Politikë dhe Financa dhe të Asamblesë së Kuvendit Komunal, shoqëria civile një ditë para mbledhjeve të paiset me: materialet (agjendën dhe dokumentet që ju jepen këshilltarëve) para çdo seance.
Pjesa e parë e kërkesës sonë bazohet në rregulloren e punës së Komunës së Prishtinës, të miratuar me 25 Shkurt 2010 gjegjësisht neni 4 i cili thotë: Përveç të drejtës së dhënë sipas Statutit, pjesëmarrësit e publikut mund ta marrin fjalën në mbledhje të Komiteteve për çështje specifike.Kryesuesi i mbledhjes duhet të vendosë për rendin, me të cilin personat mund t’i drejtohen pjesëmarrësve në mbledhje dhe duhet t’i ndërpresë ata, nëse diskutimi i tyre është i gjatë dhe në të përsëriten gjërat. Fjala e tyre mund të zgjasë deri në 3 minuta, ndërsa pjesa e dytë bazohet në ligjin për qasjen në dokumentet zyrtare 2003/12 dhe në Kushtetutën e Kosovës neni 41 pika 1 dhe 2.