Isa Mustafa nuk respekton Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale

19/09/2012

Prishtinë, 19 Shtator 2012 – Kryetari i komunës së Prishtinës z. Isa Mustafa, me ftesë të drejtorit për Ballkanin në Ministrinë e Jashtme të Britanisë, z. Ouen Jenkins dhe të bashkisë së Londrës, po qëndron për një vizitë zyrtare në Britani të Madhe.

Z. Mustafa në përgjigje të ftesës së ardhur nga Britania e Madhe formoi një delegacion nga komuna e Prishtinës, por në delegacion përfshiu edhe z. Abdullah Hotin, i cili mban postin e nënkryetarit të komunës së Prishtinës. Si duket z. Mustafa nuk ka menduar fare që veprimtaria e komunës së Prishtinës bazohet në Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, dhe se sipas këtij ligji është nën përgjegjësinë e nënkryetarit të komunës që të ndihmoj kryetarin në ushtrimin e funksioneve ekzekutive dhe të veproj në emër të kryetarit në mungesë të tij.

INPO vlerëson se kryetari i komunës së Prishtinës z. Isa Mustafa me këtë veprim ka anashkaluar dispozitat e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale, konkretisht nenin 60, që përkufizon qartë kompetencat dhe përgjegjësitë e nënkryetarit të komunës. INPO gjithashtu ka vërejtur se kryetari Mustafa me përfshirjen e z.Abdullah Hoti në delegacion ka bërë shkelje të statutit të komunës së Prishtinës. Konkretisht ka bërë shkelje të nenit 50.2 ku thuhet se kur përkohësisht mungon kryetari i Komunës, ose kur përkohësisht nuk ka mundësi ta ushtrojë funksionin e kryetarit, atë e zëvendëson nënkryetari i Komunës.

Në raste të tilla në munges të kryetarit dhe të nënkryetarit, kush do të përfaqësoj komunën e Prishtinës. Ekzekutivi i komunës së Prishtinës si duket i nxituar nuk kanë llogaritur se mund të ndodhin situata emergjente ku edhe duhet të merren veprime dhe vendime emergjente. Në këtë situatë nëse do të kemi raste të tilla atëherë do të duhet të presim derisa kryetari dhe nënkryetari i komunës të përfundojnë vizitën e tyre në Britani të Madhe.

INPO këtë veprim të kryetarit Mustafa e vlerëson si mos respektim të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale dhe si veprim jo të matur nga ana e një lideri që qeverisjen e tij e mbështetë në parimet e qeverisjes së mirë dhe për më tepër udhëheq me komunën më të madhe në Kosovë. Po ashtu veprime të kësaj natyre që bien në kundërshtim me dispozitat ligjore kanë impakt të drejtëpërdrejtë edhe në imazhin e komunës së Prishtinës.

INPO kërkon nga komuna e Prishtinës dhe të gjithë zyrtaret e saj që të mos ndërmarrin veprime të tilla të nxituara që nuk përputhen me ligjet në fuqi. Sidomos për shkak të rëndësisë dhe rolit që luan komuna e Prishtinës në nivelin e qeverisjes lokale në Kosovë. Po ashtu kërkojmë nga komuna e Prishtinës që gjatë ushtrimit të veprimtarisë të jetë më e kujdesshme dhe syhapur sepse ky veprim i kryetarit Mustafa dëmton prestigjin e komunës së Prishtinës.