INPO thërret qytetarët e Kaçanikut që nesër të vendosin për kryetarin e tyre
16/06/2012Kaçanik, 16 Qershor – Territorin e Kosovës Jug- Lindore po e përcjell proces i zgjedhjeve të jashtëzakonshme ku para dy mujave në Ferizajt u mbajt raundi i parë i zgjedhjeve për Kryetar Komune ndërsa nesër më 17 Qershor edhe Komuna e Kaçanikut do të votojë për zgjedhjen e Kryetarit të ri. Këto zgjedhje të parakohshme po vijnë si rezultat i dënimeve të Kryetarëve të mëparshëm për vepra penale dhe po ndërpresin mandatin 4 vjeçar të institucionit të Kryetarit.
INPO gjatë punës monitoruese në këto dy komuna kishte kërkuar nga ish Kryetari Xhemaili dhe ia Zharku ta ofronin dorëheqjen e tyre për arsye morale dhe etike por një gjë e tillë nuk ndodhi derisa ata u shkarkuan nga verdikti i gjykatave përkatëse. Ndërsa sot INPO po u bënë thirrje qytetarëve Kaçanikas që të përmbushin përgjegjësinë e tyre qytetare për të votuar dhe vendosur për qeverinë e re në komunën e tyre.
Përmes motos “Qytetar, Qeverisja fillon nga Ti- Voto”, INPO vetëdijëson qytetarët për peshën e votës së tyre dhe u apelon që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të garantuar me ligj. Një pjesëmarrje më e madhe e qytetarëve në votime do të thoshte një legjitimitet më i madh për Kryetarin e zgjedhur.
Pas fushatës elektorale të partive politike, pikërisht në ditën e heshtjes zgjedhore, ditë në të cilën ndalohen të gjitha aktivitetet me karakter politik INPO i inkurajon qytetarët që të sillen në mënyrë të vetëdijshme dhe të mos bien pre e shantazheve të mundshme nga grupe të caktuara militantiste partiake. Vota e lirë e gjithsecilit ka rëndësi në zhvillimin e demokracisë sa lokale ashtu edhe shtetërore dhe mbarëvajtja e rregullt e zgjedhjeve është pikërisht në dorën e qytetarëve. Po ashtu INPO kërkon nga qytetarët kaçanikas të raportojnë për çfarëdo lloj forme të parregullsive eventuale që do të mund ta përcillnin procesin e votimit.
Pjesëmarrja në votime është një ndër format e përmbushjes së obligimit moral të qytetarëve karshi vetvetes, karshi shoqërisë dhe në këtë formë gjithmonë duke kontribuar në zhvillimi e demokracisë dhe shtet- ndërtimit prandaj, Qytetar, Qeverisja fillon nga Ti- Voto nesër dhe manifesto një kulturë demokratike në ditën e zgjedhjeve, në ditën kur ti je faktori më i fuqishëm i vendimmarrjes.