INPO reagon ndaj takimeve konsultative të Kryetarit

22/08/2013

INPO kërkon që procesi i hartimit të buxhetit për vitin 2014-2016 të mos e shënojë fillimin ilegal të fushatës elektorale në Ferizaj

Ferizaj,22 Gusht 2013-Edhe pse me vonesë dhe në kohë fushate, INPO ka përshëndetur nismën e kryetarit Aliu që brenda javës të organizojë një numër kaq të madh të takimeve konsultative me qytetarët e Ferizajt, me qëllim të njohjes së problemeve të tyre dhe hartimit të buxhetit të komunës në përputhje me nevojat e tyre.

Kryetari Aliu në përpjekje për arritjen e qëllimeve të tij, ka gabuar në kalkulimet e tij lidhur me planifikimin e kohës se kur do të mbahen takimet konsultative me qytetarë për hartimin e projekt buxhetit për vitin 2014-2016. Siq dihet në bazë të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike, kryetari i komunës është i obliguar që deri më 01 Shtator ta paraqesë propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm fiskal në kuvendin komunal. Në këtë propozim buxhet duhet të paraqiten kërkesat për ndarje buxhetore për vitin 2014 dhe një parashikim i hershëm për ndarjen buxhetore për vitin 2015 dhe 2016.

Përderi sa kryetari Aliu vazhdon të takohet me qytetarë kinse për marrjen e mendimeve të tyre për hartimin dhe ndarjen e buxhetit për vitet e ardhshme, në mbledhjen e fundit të Komitetit për Politikë dhe Financa u vendos që mbledhja e ardhshme e Kuvendit Komunal të mbahet më 30 Gusht 2013 por duke mos e kaluar për pikë të rendit të ditës edhe propozim buxhetin e vitit 2014, që vë në pikëpyetje përfshirjen e mendimeve të qytetarëve në buxhetin e vitit 2014.
Pasi ka monitoruar disa prej takimeve konsultative të kryetarit Aliu me qytetarët, INPO ka vërejtur se diskutimi që po zhvillohet mes kryetarit dhe qytetarëve, nuk është diskutim për hartimin e buxhetit në bazë të prioriteteve të qytetarëve, por ka marrë më shumë kahjen e tubimeve elektorale.

INPO i bënë thirrje kryetarit Aliu që në një proces kaq të rëndësishëm, siç është përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje përmes caktimit të prioriteteve të tyre për hartimin e buxhetit për vitet 2014-2016, të veprojë si kryetar i komunës dhe të mos i ngarkoj këto takime me fjalime teorike dhe elemente të fushatës elektorale e cila edhe ashtu nuk ka filluar, që po e zbehin qëllimin e mirë që kanë takimet me qytetarë.

Nga monitorimi që i është bërë këtyre takimeve Konsultative, INPO rekomandon kryetarin e komunës që debatet që do zhvillohen në takimet e ardhshme konsultative të strukturohen në atë mënyrë që përmes fjalimeve të argumentuara të arrihet në rekomandime dhe konkluzione konkrete për prioritetet e qytetarëve, të cilat komuna duhet t’i ketë parasysh në procesin e mëtejm dhe ti përfshijë në hartimin e buxhetit.

INPO është e shqetësuar për mënyrën se si kryetari Aliu do të arrij që t’i përfshijë prioritetet dhe kërkesat e qytetarëve në buxhetin e vitit 2014, por mbetet e përkushtuar që këtë proces ta monitoroj deri në fund dhe të shoh se si rezultatet e nxjerra nga takimet konsultative do të reflektohen në buxhetin e vitit 2014. Gjithashtu INPO do të kërkojë edhe nga niveli qendrorë që të ndërmarr sanksionet e parapara me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike nëse kryetari nuk i respekton afatet kohore për hartimin e buxhetit të cilat janë të parapara me ligj.