INPO reagon: Letër e Hapur për KKZ- Ferizaj
17/04/2012I nderuari zyrtar ekzekutiv i Komisionit Komunal Zgjedhor të Ferizajt, Idriz Hetemi,
INPO duke i’u rikujtuar përgjegjësitë që dalin nga Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë, Ju bënë thirrje që të ushtroni përgjegjësitë tuaja ndaj shkeljes së vendimit të KQZ-së, nga subjektet politike garuese për kryetar të Komunës së Ferizajt. Partitë politike po shkelin periudhën e Fushatës Zgjedhore për Kryetarin e Komunës së Ferizajt, të përcaktuar nga KQZ-ja që përbën edhe shkelje të kodit të mirësjelljes.
Me vendimin e presidentes së Republikës së Kosovës të datës 29/03/2012, janë shpallur Zgjedhjet e Jashtëzakonshme për zgjedhjen e Kryetarit të Komunës së Ferizajt që do të mbahen me datën 29/04/2012. Për zbatimin e tyre për vetëm 31 ditë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur me datën 29/03/2012 ka marr vendim që të shkurtohen afatet e aktiviteteve zgjedhore.
Pika 7 e këtij vendimi të KQZ-së specifikon se Fushata zgjedhore për Kryetarin e Komunës në Ferizaj do të zgjasë 5 ditë dhe përfundon 1 ditë para ditës së zgjedhjeve. Por siç duket ky vendim, nuk po respektohet nga partitë politike në Ferizaj. Pasi që partitë veç se kanë filluar me vendosjen e afisheve, organizimin e tubimeve, ngjarjeve politike dhe aktivitete të tjera të ngjashme, që nuk janë të ndaluara gjatë periudhës së fushatës zgjedhore por fushata zgjedhore në Ferizaj sipas vendimit të KQZ-së fillon me datën 23/04/2012.
INPO vlerëson se veprimet që po ndodhin në Ferizaj nga subjektet politike përbëjnë shkelje të kodit të mirësjelljes. Konkretisht shkelet neni 32 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë. Kur pika 1 e këtij neni thekson se kodit të sjelljes i detyrohen të gjitha subjektet politike, kandidatët, anëtarët e subjekteve dhe mbështetësit e tyre. INPO i bënë me dije subjekteve politike se pika 5 e nenit 32 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë thekson se subjektet politike mbahen përgjegjëse për shkeljet e kodit të sjelljes, të kryera nga anëtarët, mbështetësit dhe kandidatët e tyre.
Duke qenë të vetëdijshëm se pika 1 e nenit 64 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë e bënë KQZ-në përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji, dhe se në bazë të nenit 68 të po këtij ligji, Të gjitha KKZ-të i administrojnë Zgjedhjet përbrenda Komunës nën mbikëqyrjen ekskluzive dhe udhëzimet e KQZ-së, që vepron përmes sekretariatit, duke garantuar ligjshmëri, legjitimitet dhe efikasitet të procesit zgjedhor.
Në fund të kësaj letre INPO edhe një herë i bën thirrje publike Idriz Hetemit, zyrtar ekzekutiv i Komisionit Komunal Zgjedhor të Ferizajt që të përmbush përgjegjësitë e veta dhe institucionit të cilin e përfaqëson, duke raportuar këto parregullsi tek sekretariati i KQZ-së.