INPO performon: “Qytetar, qeverisja fillon nga Ti – Voto”
28/04/2012Ferizaj, 28 Prill 2012 – Iniciativa për Progres (INPO) prej kohës kur KQZ-ja kishte paralajmëruar për mbajtjen e Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Ferizajt ka filluar fushatën për sensibilizimin e qytetarëve që të dielën më 29 Prill 2012 të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike dhe të votojnë në numër sa më të madh.
Fushata e INPO-s ishte e ndarë në tri pjesë dhe kishte në theks të veçantë tri kategori të shoqërisë: 1. Votuesit për herë të parë – ata që kanë fituar të drejtën e votës me arritjen e moshës madhore; 2. Të rinjtë – 24 deri në 35 vjeçar; dhe 3. Qytetarët mbi 35 vjet.
INPO ka shpërndarë fletushka informuese për maturantët e shkollave të mesme të cilët do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet për Kryetar të Komunës. Tetëmbëdhjetë vjeçarët ferizajas nuk ishin lajmëruar nga KQZ-ja për mënyrën e votimit dhe vendin se ku duhet të votojnë, prandaj INPO e ka parë të arsyeshme që përmes fletushkës informuese t’i bëjë thirrje tetëmbëdhjetë vjeçarëve që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar dhe t’i orientojë që të drejtohen në zyrën e KKZ-së për të mësuar vendin e votimit të tyre. “Shkrepe Votën” dhe “Mos i lë të tjerët të vendosin për ty, pa ty” kanë qenë mesazhet të cilat kanë përbërë këtë pjesë të fushatës, gjithmonë duke u treguar të rinjve se ata duhet të marrin pjesë në vendimmarrje përmes votimit.
Sot, pikërisht në ditën e heshtjes zgjedhore, kur aktivitetet e partive politike pezullohen INPO ka përmbyllur fushatën me mesazhin drejtuar qytetarëve “Qytetar, Qeverisja fillon nga Ti – Voto!”. Pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje është një indikator për funksionimin e demokracisë, prandaj INPO u bënë thirrje të gjithë ferizajasve që të përmbushin obligimin e tyre qytetar duke dalur për të votuar për të zgjedhur të parin e komunës. Mesazhi i INPO-s vetëdijëson qytetarët për fuqinë e votës së tyre.
Pjesëmarrja e sa më shumë qytetarëve në zgjedhje dhe mbarëvajtja e tyre, dëshmon mbi përparimin e demokracisë dhe kulturës politike në Komunën e Ferizajt, dhe, rrjedhimisht, përafrimin me vlerat dhe standardet demokratike të Bashkimit Evropian, pjesë e të cilit aspirojmë të bëhemi një ditë.