INPO nuk e ka kërkuar dorëheqjen e Drejtorit të Inspekcionit z. Muhamet Gashi
23/07/2012Prishtinë, 23 korrik 2012 – Organizata INPO përmes kësaj shkrese ndjehet e obliguar që ta sqaroj opinion publik dhe komunën e Prishtinës, se në asnjë moment ne si organizatë nuk kemi kërkuar dorëheqjen e Drejtorit te Inspekcionit të komunës së Prishtinës. Në të përditshmen “Kosova Sot” (20.07.2012), në ballinën e kësaj gazetë dhe ne faqen 7 shkruhet se INPO kërkon dorëheqjen e drejtorit të lartë përmendur.
Në ketë pikë ne si organizatë shprehim shqetësimin tonë se “Kosova Sot” e ka shtrembëruar “diskutimin” që Drejtori i organizatës z. Avni Bytyci e ka pasur më njërin nga gazetarët e saj. Për ne është për tu shqetësuar se si një gazetar shkëput fjali që janë thënë nga konteksti dhe i interpreton ato në bazë të interesave të cilat i ndjek ai.
Edhe pse drejtori ekzekutiv i INPO-s kishte kontaktuar gazetën Kosova Sot, respektivisht gazetaren me të cilën kishte diskutuar për më shumë se 30 minuta dhe gazetarja në fjalë i kishte kërkuar falje dhe ishte zotuar se do ta shkruaj demantin këtij lajmi të pa vërtetë në numrin e ardhshëm të gazetës Kosova sot.
INPO ndihet e fyer se kjo e përditshme kosovare me një numër kaq të madh të tirazhit të shitjes ka injoruar në tërësi etikën gazetareske dhe premtimin që ka dhënë për demantimin e këtij lajmi jo të vërtet.
Organizata INPO tani më që tetë vite të funksionimit ka kërkuar dorëheqjen e shumë zyrtarëve të lartë duke u bazuar në fakte dhe argumente qe ne i kemi bërë publike për gjithë opinion publik përmes konferencave për shtyp. Ne i kërkojmë të përditshmes “Kosova Sot” që të përmirësojë gabimin e bërë ose për ndryshe jemi të obliguar që ti ndjekim gjitha rrugët ligjore për të dëshmuar që lajmi dhënë është i pavërtetë dhe dëmton rendë imazhin e organizatës INPO.
Me respekt,
Avni Bytyci
Drejtor Ekzekutiv