INPO: Kuvendi Komunal të mbajë përgjegjës Kryetarin dhe vartësit e tij për shkeljet ligjore në hartimin e PZHK-së, Prokuroria të bëjë hetime të pavarura

18/09/2017

Organizata INPO shpreh indinjatë të thellë për paaftësinë dhe dështimet e njëpasnjëshme të komunës së Ferizajt për të garantuar qeverisje efikase dhe efektive, të bazuar në rend dhe  ligj si dhe të orientuar në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm të qytetit të Ferizajt.

Anulimi i vendimit për dhënien e pëlqimit për miratimin e Planit Zhvillimor Komunal në Ferizaj, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, konfirmon edhe një herë të gjitha gjetjet dhe vlerësimet e INPO-s për procesin e kundërligjshëm dhe jashtë frymës demokratike të hartimit të dokumenteve strategjike për zhvillimin hapësinor në komunë.

INPO në vazhdimësi ka kritikuar autoritet planifikuese të komunës për qasje të jo të drejtë, jo transparente dhe të kundërligjshme ndaj procesit të hartimit të PZHK-së. Madje në vitin 2015, INPO ka kërkuar publikisht shkarkimin Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizimit, si përgjegjësi kryesor për gjithë ciklin e  padrejtë dhe të kundërligjshëm të hartimit të politikave komunale për planifikim hapësinor. Aso kohe INPO ka kërkuar edhe nga Prokuroria Themelore në Ferizaj që të zhvillojë hetime për dyshimet se është konsumuar vepra penale e falsifikimit të dokumentit zyrtar, respektivisht vendimit të Kuvendit Komunal për revidimin e zonave I dhe VIII-të të qytetit, i cili ka pasur për qëllim të vetëm ngritjen e koeficientëve të ndërtimit.

Si pasojë e moszbatimit të mekanizmave për llogaridhënie brenda institucionit të komunës dhe mos gatishmëria e Kryetarit të Komunës për të mbajtur llogaridhënës para ligjit vartësit e tij, ka mundësuar që procesi i hartimit të PZHK-së të kontestohet në vazhdimësi nga MMPH-ja, qytetarët dhe shoqëria civile.

Tutje, deponimi i kallëzimit penal në Prokurorinë Themelore të Ferizajt, nga ana e Departamentit për Krime Ekonomike të Policisë së Kosovës, rreth dyshimeve të bazuara për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar kundër Drejtorit të Drejtorisë së Urbanizimit dhe anëtarëve të tjerë të komisionit për shqyrtimin e ankesave të qytetarëve rreth draftit të PZHK-së, është tregues i qartë se në këtë proces nuk janë zbatuar obligimet ligjore dhe se kërkesat legjitime të qytetarëve nuk janë shqyrtuar sipas ligjit.

Rrjedhimisht, ka dështuar angazhimi i dy (2) vjeçar i autoriteteve planifikuese për ta miratuar këtë dokument kaq të nevojshëm për zhvillimin e komunës. Mirëpo, ky dështim në miratimin e PZHK-së për shkak të pengesave ligjore do të duhej të ishte alarm për Kuvendin Komunal, si autoriteti më i lartë vendimmarrës dhe mbikëqyrësi kryesor i punës së Kryetarit të Komunës. INPO kërkon nga Kuvendi Komunal i Ferizajt që në mbledhjen e paraparë të mbahet të hënën (18 shtator 2017) të kërkon llogaridhënie politike dhe institucionale ndaj të gjithë zyrtarëve përgjegjës deri tek Kryetari i Komunës, për të gjitha shkeljet ligjore dhe dështimet e tyre për të garantuar qeverisje ligjore, transparente dhe në harmoni të plotë me interesat e qytetarëve.

Përfundimisht, INPO i bën thirrje anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Ferizajt që të kryejnë detyrimet ligjore dhe të vendosin në interesin e qytetarëve për të mbajtur llogaridhënës Kryetarin e Komunës dhe vartësit e tij për mos gatishëri që të sigurojnë qeverisje të ligjshme, të qëndrueshme, shfrytëzim efikas të fondeve publike për rregullim të qëndrueshëm hapësinor dhe qasje adekuate në shërbimet publike për të gjithë qytetarët pa dallim.

INPO në misionin e saj ka pasur dhe do të ketë gjithmonë respektimin e marrëdhënieve të vendosura në mbrojtjen e demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës dhe sigurisht mbi të gjitha mbrojtjen e interesit qytetarë, duke e denoncuar publikisht çdo fenomen apo veprimtari që bie ndesh me interesat e tyre të ligjshme. Duke qenë të bindur në luftën ndaj këtyre fenomeneve, ne çmojmë se veprime të tilla si ato të zyrtarëve komunal, dëmtojnë rëndë demokracinë në vend, si dhe marrëdhëniet juridike të vendosura për mbrojtjen dhe funksionimin e shtetit ligjor dhe të së drejtës në Kosovë.

Përveç obligimit të të zgjedhurve në Kuvendin e Komunës së Ferizajt, INPO do të monitorojë se si organet e agjencive të zbatimit të ligjit, do të veprojnë që të garantojnë zbatueshmërinë e ligjeve dhe ndëshkimin e shkelësve të ligjit në këto raste.

Ky grant është financuar nga projekti Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KSCF).