INPO: Kundërshtimet e Komunës së Gjilanit ndaj vendimit të OShP-së nuk kanë bazë ligjore dhe rrezikojnë pavarësinë e vendimmarjes në OShP
29/08/2024Prishtinë, 29.08.2024 – Organizata INPO ka përcjellur me kujdes kundërshtimet e Komunës së Gjilanit ndaj vendimit të nxjerrë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), në lidhje rastin e Stadiumit të Qytetit të Gjilanit. Komuna e Gjilanit ka parashtruar kërkesë pranë OSHP-së për shfuqizimin e vendimit të këtij të fundit, në bazë të të cilit është anuluar procedura e prokurimit për “Renovimin e Stadiumit të Qytetit të Gjilanit”.
INPO vlerëson se qasjet e tilla të reagimit të autoriteteve kontraktuese, të cilat kanë qenë të pranishme edhe në të kaluarën, jo vetëm që nuk kanë bazë juridike për t’u praktikuar, por ato mund të shihen edhe si forma të ndikimit ndaj pavarësisë profesionale të autoriteteve kompetente në fushën e prokurimit publik.
Legjislacioni i zbatueshëm në fushën e prokurimit publik, në mënyrë të qartë, ka specifikuar të drejtat ligjore të palëve pjesëmarrëse në një proces të tenderimit, mjetet juridike, e deri tek karakteri juridik i akteve administrative të nxjerra.
Në rastin konkret, Komuna e Gjilanit, si autoritet kontraktues do duhej të kishte të qartë se Vendimi Nr. 2024/0521, i datës 09.08.2024, i shpallur nga OShP, paraqet një akt administrativ përfundimtar dhe detyrues për autoritetin kontraktues. Ky vendim është i karakterit obligativ për komunën, dhe se e njëjta nuk mund të ndërmarrë asnjë veprim përkitazi me çështjen lëndore, dhe se pasojat e aktit shprehen në anulimin e gjithë procesit të zhvilluar.
Ligji për Prokurimin Publik, si ligj special për proceset e prokurimit publik, rregullon në mënyrë të detajuar procedurën e ankimimit të palëve pjesëmarrëse. Kjo procedurë është sqaruar më tej përmes Rregullores Nr. 001/2022 për Prokurimin Publik. Sikurse Ligji për Prokurimin Publik, ashtu edhe Rregullorja përcaktojnë dy nivele të ankimimit: mjetin e kundërshtimit, që shqyrtohet brenda autoritetit kontraktues, si shkallë e parë e ankimimit, dhe ankesën që mund të dorëzohet pranë OShP-së, si shkallë dytë dhe përfundimtare e ankimimit.
Në vështrim të dispozitave ligjore që rregullojnë procedurat e ankimimit ndaj aktit përfundimtar administrativ të prokurimit publik, INPO vlerëson se Komuna e Gjilanit, si autoritet kontraktues, nuk ka vepruar në përputhje me dispozitat e parashikuara në Ligjin për Prokurimin Publik. Konkretisht, komuna ka zgjedhur të kontestojë vendimin përfundimtar të OSHP-së duke u referuar në nenet 53, 57.1 dhe 98 të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative. Referenca në dispozitat e Ligjit për Procedurën Administrative për të kërkuar anulimin e vendimit nuk është rruga përmes së cilës kundërshtohet ky vendim i OShP-së .
Në këtë kontekst, forma e vetme ligjore për të kundërshtuar një proces të tillë administrativ, do të ishte e mundshme vetëm përmes konfliktit administrativ, që mund të inicohet pranë Gjykatës Themelore për Çështjet Administrative, sipas nenit 119 të Ligjit për Prokurimin Publik, dhe nenit 10 të Ligjit Nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative.
Andaj, Organizata INPO konsideron se autoritetet kontraktuese duhet mbrojnë interesat e tyre juridike vetëm brenda kornizës ligjore të lejueshme dhe të evitojnë çfarëdo forme të presionit që mund të ndikoj në punën e institucioneve të pavarura.
Respektimi i procedurave të prokurimit publik, pavarësisht pasojave, kërkohet të jetë parim bazë i punës së organeve shtetërore, përfshirë edhe komunave, me qëllim që të evitohen proceset të cilat nuk kanë bazë të mirëfilltë të ligjshmërisë, transparencës dhe që mund të dëmtojnë interesat legjitime të palëve pjesëmarrëse.