
INPO: Komuna e Gjilanit me ndryshime “kozmetike” tenton ta arsyetoj kundërligjshmërinë e kërkesave të Dosjes së Tenderit
15/12/2021Prishtinë, 15 dhjetor 2021- Organizata INPO kundërshton ndryshimet “kozmetike” të Dosjes së Tenderit, lidhur me aktivitetin “Pastrimi i Objekteve Shkollore” me numër 651-21-8003-2-1-1, me vlerë të parashikuar 1,343,997.00 euro, të inicuar nga komuna e Gjilanit.
Më 3 dhjetor 2021, INPO kishte reaguar kundër keqpërdorimit të procedurave të prokurimit publik, vendosjes së kritereve diskriminuese dhe të kundërligjshme, me tendencë të punësimit të së paku shtatëdhjetë e dy (72) personave si mirëmbajtës të shkollave nga komuna e Gjilanit. ( shih reagimin https://inpo-ks.org/inpo-komuna-e-gjilanit-ne-kundershtim-me-ligjin-tenton-qe-te-punesoj-mirembajtes-neper-shkolla-nepermjet-procedurave-te-prokurimit-publik/)
Më 14 dhjetor 2021, komuna e Gjilanit në platformën elektronike e-prokurim, ka publikuar Dosjen e Tenderit të korrigjuar, ndërsa më 15 dhjetor 2021, ka publikuar formularin standard për korrigjimin e gabimeve, mirëpo aty vetëm janë bërë disa ndryshime të vogla të kërkesave diskriminuese të evidentuara nga INPO, rrjedhimisht ky aktivitet mbetet edhe më tej i kundërligjshëm.
Edhe përkundër korrigjimeve, ende mbesin këto kërkesa të kundërligjshme:
- Kërkesa “OE duhet të dëshmoj se në 2 vitet e fundit të ketë së paku 100 punëtorë të punësuar, për punë të ngjashme sipas specifikave të dosjes së tenderit”, është modifikuar në “OE duhet të deklarohet se pranon të punësoj minimum punëtorët që specifikohen në paramasë nga lista e autoritetit kontraktues për kryerjen e shërbimeve”, e që i bije shtatëdhjetë e dy (72) punëtorë të cilët kërkohen në paramasë. Në këtë rast nga një kërkesë e lartë dhe diskriminuese, komuna e Gjilanit kalon në një kërkesë të kundërligjshme duke ia caktuar operatorit ekonomik numrin e punëtorëve. Me fjalë të tjera, procedurat e prokurimit përdoren për punësimin e teknikëve nëpër shkolla.
- Kërkesa “OE duhet të deklarohet se do t’i paguan të gjithë punëtorët me paga të njëjta me punëtorët e këtij sektori në neto prej 251.70 euro, duke i kalkuluar sipas rregullave të ATK-së”. Kjo kërkesë është në kundërshtim me kërkesat ligjore dhe e dëmton konkurrencën e lirë të tregut, duke ndikuar direkt edhe në koston e kontratës dhe mirë menaxhimin e parasë publike. Paga 251.70 euro nuk është as pagë minimale e as mesatare dhe vendosja e kufijve të pagave të punëtorëve të operatorëve ekonomik është ndërhyrje e kundërligjshme dhe nuk është kompetencë e autoriteteve kontraktuese, atë e rregullon ligji dhe tregu i lirë. Po të shihet paramasa, përkatësisht lista e çmimeve aty vërehet qartë që komuna e Gjilanit përmes kësaj kontrate, përveç tjerash tenton që të punësoj shtatëdhjetë e dy (72) persona, ku edhe kërkon nga operatorët ekonomik që të japin çmim për 36 muaj për secilën njësi, përkatësisht punëtorë. Në anën tjetër në Dosje të Tenderit nuk ka as edhe një term të referencës, dhe as nuk ka të dhëna rreth kontributit të pritur të këtyre personave.
INPO i rikujton komunës së Gjilanit që nëpërmjet procedurave të prokurimit publik nuk mund të punësohen punëtorë, këtë e ka thënë edhe Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik në njoftimin Nr. 06/2021 i datës 02.02.2021, i lëshuar në drejtim të të gjitha autoriteteve kontraktuese.
INPO vlerëson që shkeljet në këtë aktivitet janë të mëdha dhe përmirësimi i gabimeve me formular standard vetëm sa do ta komplikonte këtë procedurë, sepse kemi të bëjmë me një ndryshim rrënjësor të kushteve të parashikuara në njoftimin origjinal të kontratës.
Andaj, edhe njëherë INPO i bënë thirrje komunës së Gjilanit që duke u bazuar në nenin 23.3, pika (e), lidhur me nenin 44.7 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ të Prokurimit Publik, ta anuloj këtë aktivitet të prokurimit dhe nëse ende ka nevojë që ky aktivitet të zhvillohet të shpallen procedura të reja të cilat i respektojnë afatet e rregullta ligjore, nuk janë diskriminuese, favorizuese apo në kundërshtim me ligjin dhe aktiviteti në fjalë ka të bëjë me marrjen e shërbimit të pastrimit e jo me punësimin e personave.