INPO i dhuron shkollës „Jovan Cvijic“ tre kompjuterë

06/03/2012

Në përmbyllje të aktiviteteve të programit të Shkollës së Aktivizmit, INPO i ka dhuruar shkollës së mesme në qytetin e Shtërpcës tre kompjuterë.

Nxënës nga të gjitha komunat e Kosovës kishin marrë pjesë në aktivitetet e Shkollës së Aktivizmit duke implementuar mini projektet e tyre. Për këto mini projekte të cilat mëtojnë të ngrisin vetëdijen e të rinjve për pjesëmarrje në procese vendimmarrëse INPO ka ndarë mini grante në formë mbështetëse për të rinjtë pjesëmarrës. Përkundër faktit se ky projekt ka përfshirë nxënës shqiptarë dhe të komunitetit RAE, ata të komunitetit serb kanë munguar. Për këtë arsye INPO ka marrë iniciativë për involvim edhe të nxënësve të komunitetit serb në projektet e Shkollës së Aktivizmit, duke e bërë hapin e parë dhe duke iu dhuruar tre kompjuterë për Shkollën e Mesme në qytetin e Shtërpcës, “Jovan Cvijic”. Kjo shkollë e mesme në vete përmban pesëmbëdhjetë profile mësimore dhe ka mbi 700 nxënës. Pasurimi i kabinetit të informatikës në këtë shkollë ka qenë më se i nevojshëm duke pasur parasysh numrin e madh të profileve mësimore.

INPO këtë donacion e sheh si nismë për bashkëpunim dhe përfshirje të nxënësve të komunitetit serb në aktivitetet e ardhshme të Shkollës së Aktivizmit pasi që edhe Drejtori i shkollës premtoi që në pjesën e dytë të Shkollës së Aktivizmit do të këtë pjesëmarrës edhe nga Shkolla e mesme “Jovan Cvijic”.