INPO i dërgon letër të hapur kryetarit të Komunës së Ferizajt z. Xhemaili.
14/02/2012Për: Kryetarin e Komunës së Ferizajt, z. Bajrush Xhemajli
Nga: Organizata Iniciativa për Progres – INPO
Lënda: Letër e hapur, Kryetarit të komunës së Ferizajt z. Bajrush Xhemaili
Data: 14 shkurt 2012
I nderuari z. Xhemaili,
Me respektin më të madh për ju dhe institucionin që ju përfaqësoni, përmes kësaj shkrese shprehim indinjatën tonë të thellë për gjendjen e rrugëve dhe trotuareve në Komunën e Ferizajt.
Bora e rënë ditëve të fundit përveç problemeve të tjera, ka shkaktuar vështirësi të mëdha në qarkullimin e lirë të qytetarëve të Ferizajt. Shumica e rrugëve janë të gjendje të mjerueshme qysh para tri javëve ndërsa trotuaret për këmbësor nuk janë pastruar asnjëherë.
Ju rikujtojmë komuna e Ferizajt nën udhëheqjen tuaj ka lidhur kontratë me KRM “Pastërtia” për mirëmbajtjen dhe rrugëve edhe gjatë sezonit dimëror. KRM “Pastërtia” paguhet me parat e qytetarëve të Ferizajt të cilët duhet të jenë përfituesit e parë të kësaj kontrate.
Është për të ardhur keq që kjo kompania nuk ka vepruar që në ditët e para të reshjeve, gjë që ka zvogëluar efikasitetin e kryerjes së punëve dhe që kjo kompani nuk ka kapacitete për të menaxhuar një situatë të këtillë dhe për të zbatuar obligimet nga kontrata.
Një numër I konsiderueshëm I fshatrave por edhe rrugë të qytetit si rr. “Naim Beka”, “Emin Duraku”, Astrit Bytyçi” etj janë të pa pastruara dhe trotuaret janë në gjendje të mjerueshme edhe nëpër rrugët kryesore të qytetit.
Ju si Kryetar i Komunës para se gjithash mbani përgjegjësi ndaj qytetarëve dhe jeni I obliguar që të ofroni mirëqenie dhe siguri për ta. Gjithashtu ju dhe administrata juaj jeni të obliguar që të merrni masa ndaj mos zbatimit të marrëveshjeve kontraktuale dhe të kërkoni llogari.
Edhe pse më datë 3 shkurt 2012 dhe 13 shkurt 2012, nën organizmin tuaj janë mbajtur dy mbledhje të Këshillit Komunal për siguri në Bashkësi, në të cilat temë kryesore ka qenë gjendja e rrugëve dhe masat që duhet ndërmarrë për të evituar problemet nga reshjet e borës. Është për të ardhur keq që këto takime kanë mbetur vetëm në nivel diskutimi dhe konferencash për medie pasi akoma nuk po shihen rezultatet e mbledhjeve të KKSB-së në të cilat ju përsëri nuk e keni ftuar INPO-n si anëtare me të drejta dhe obligime të barabarta në këtë këshill të garantuara më udhëzimin administrativ Nr.08/2009 MPB-02/2099 MAPL për Këshillat Komunale për Siguri në Bashkësi.
I nderuar kryetar është shqetësues injorimi juaj i vazhdueshëm sidomos në këtë gjendje të rëndë ndaj halleve dhe problemeve të qytetarëve.
INPO ju bën thirrje që më seriozitetin më të madh ti mobilizoni strukturat tuaja për të bërë pastrimin e rrugëve të qytetit, në veçanti trotuaret dhe zonat rurale.
Sinqerisht,
Organizata INPO ###