INPO dënon sulmin kundër gazetarëve të emisionit “Jeta në Kosovë”
07/06/2008Ferizaj, 7 Qershor 2008: Dënojmë ashpër dhunën e ushtruar nga ana e personelit të sigurimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, kundër gazetarëve të emisionit “Jeta në Kosovë”. Sulmet e tilla janë sulme të drejtpërdrejta ndaj të drejtës fundamentale të qytetarit, atë të fjalës së lirë dhe si të tilla nuk mund të tolerohen.
Emisioni “Jeta në Kosovë” dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) meritojnë respekt për punën e tyre të guximshme dhe profesionale në adresimin e çështjeve të rëndësishme për funksionimin demokratik të institucioneve publike në Kosovë.
I bëjmë thirrje Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të dënoj këtë sulm dhe institucioneve të tjera përgjegjëse që të sigurojnë se personat e përfshirë në ushtrimin e dhunës do të përgjigjen para drejtësisë. Më tutje kërkojmë nga Presidenti i Republikës si përfaqësues i unitetit të popullit që të angazhohet për të garantuar mbrojtjen e të drejtës së shprehjes së lirë dhe ndërprerjen e sulmeve kundër gazetarëve.