Gjendje e vështirë me të drejtat e fëmijëve në Kosovë

01/06/2011

Sot, në ditën ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve, këta të fundit janë në një gjendje shumë të vështirë duke mos qenë të paktën as të informuar me të drejtat e tyre, e lëre më të kërkojnë zbatim të tyre.

Fëmijët në Kosovë, vazhdojnë të jenë të keqtrajtuar, të diskriminuar, të shfrytëzuar në kundërshtim me cdo ligj në fuqi, apo edhe Konventa ndërkombëtare. Shumë fëmijë braktisin mësimin, shumë të tillë detyrohet të bëjnë punë të papërshtatshme për moshën dhe fizikun e tyre, shumë fëmijë shesin duhan e edhe më shumë të tjerë e konsumojnë atë.

Tashmë është bërë traditë, që për 1 qershor, politikanët vetëm të mbrojnë të drejtat e fëmijëve me retorikë dhe me fjalime politike, ndërkaq që asnjë aktivitet institucional nuk ndërmerret për të zhdukur format kaqtrajtuese, denigrimin dhe shfrytëzimin e fëmijëve në Kosovë.

Më shumë se cdo herë dhe më shumë se cdo kush fëmijët kanë nevojë për mbrojtje dhe veprim institucional, në mënyrë që të drejtat e tyre të garantuara edhe me Konventa Ndërkombëtare të respektohen nga të gjithë.

INPO bënë thirrje institucioneve lokale dhe qëndrore por dhe të gjithë të tjerëve, që të krijojnë kushtet dhe të respektojnë të drejtat e fëmijëve, në atë mënyrë që dhe këta të gëzojnë të njëjtin trajtim dhe të bëhen pjesë e familjes evropiane.