Gjendja në arsimin e Ferizajt

22/02/2013

Ferizaj, 22 Shkurt- Organizata joqeveritare INPO mbajti debat për gjendjen e përgjithshme në arsimin ferizajas.

Debati u fokusua në evidentimin e problemeve aktuale, me të cilat përballet arsimi i Ferizajt.

Derisa drejtori i arsimit, Agim Berisha prezantoi qëndrimin zyrtar për gjendjen në arsim, e cila sipas tij ka shënuar përparim në krahasim me vitet paraprake, pjesëmarrësit e tjerë potencuan ngecjet.

Berisha tha se është bërë një punë e konsiderueshme në ndërtimin e objekteve të reja shkollore. Megjithatë, ai veçoi se jashtë këtij procesi ka ngelur gjimnazi gjuhësor “Shaban Hashani”, i cili aktualisht punon në kushte tejet të vështira. I pari i arsimit theksoi se tashmë e kanë fituar një donacion nga Komisioni Evropian dhe se pritet që në pranverë të niset me riparimin e tërësishëm të objektit. Berisha tha se problem për këtë sektor mbetet buxheti i vogël, ndërkohë që përmendi se nga procesi i verifikimit të diplomave, komuna e Ferizajt ka dalë pozitivisht.

Ai tha se po përcillet nga afër edhe puna e drejtorëve dhe mësimdhënësve dhe se po tentohet t`i jepet përparësi ngritjes së cilësisë. Nga ana tjetër, Rina Baftiu, kryetare e nxënësve në gjimnazin “Kuvendi i Arbërit” ka kritikuar drejtorinë e arsimit, e cila sipas saj nuk po e zgjidh problemin e akustikës, me të cilin po përballet kjo shkollë. Ajo gjithashtu potencoi edhe mungesën e ngrohjes në katin e tretë në gjimnazin shoqëror.

Përfaqësuesi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Enver Bajrami, akuzoi autoritetet komunale se e kanë shndërruar arsimin në vend nepotizmi e familjarizmi.

Madje, në këtë kontest, ai shfaqi mëdyshjen për një proces të drejt të rekrutimit të drejtorëve të rinj, me insistimin që ky proces do të sjellë njerëz nga subjekti qeverisës në krye të shkollave të Ferizajt.

Në emër të Këshillit të Prindërve, Nazim Hoxha ka kërkuar që shkollat të pajisen me fotokopjues dhe potencoi mungesën e sallave për kulturë fizike në disa shkolla. Ai ka kundërshtuar qëndrimin e Drejtorisë së arsimit për ndalimin e defilimit të maturantëve. Sipas tij, Policia dhe Komuna duhet t`i bashkërendojnë veprimet që një ceremoni e tillë të bëhet pa shkaktuar kaos në trafik.

Arbër Kadriu u fokusua më shumë në angazhimin e drejtorëve dhe mësimdhënësve për ngritjen e cilësisë. Gjithashtu, ai kërkoi që ën fund të çdo viti shkollor nxënësit ta bëjnë një vlerësim anonim për punën e mësimdhënësve të tyre, në mënyrë që më pas të vlerësohet performansa e secilit.

Faruk Guri nga LDK-ja, paraqiti shqetësimin e subjektit të tij për rritjen e konsumimit të substancave narkotike në shkollat e Ferizajt. Kurse kolegu i tij nga AAK-ja, Muhamet Halili, në shkolla mungon qasja kreative dhe angazhimi më i madh i drejtorëve. Sipas tij, profilet e ndryshme shkollore duhet materializohen nga ana e komunës për nevoja qytetare.

Ndërkaq Admir Salihu nga Lëvizja FOL, kërkoi që nxënësit të pajisen me uniforma, të hiqen rrethojat e shkollave, mirëmbajtjen strikte të nyjave sanitare nëpër shkolla dhe ngritjen e shkallës së menaxhimit në to.
Në fund të debatit, nga ajo që u tha nga pjesëmarrësit u nxorën edhe rekomandime, të cilat i adresohen drejtuesve të arsimit.

Përpilimi i një Plani Strategjik për Arsimin, nxitja e promovimit të Shkollave Profesionale, komunikimi Këshill i Prindërve – Këshilli i Nxënësve dhe Drejtoria për Arsim, vlerësim anonim i nxënësve për mësimdhënësit, depolitizimi i shkollave dhe bartja e uniformave janë disa nga rekomandimet që dolën nga ky debat.