Funksionimi i Ndërmarrjeve Publike në Ferizaj

17/04/2013

“Stacioni i Autobusëve ka një borxh mbi 1 milion euro, opozita akuzon Ndërmarrjet Publike për jo transparencë ”

Funksionimi i Ndërmarrjeve Publike në Ferizaj

INPO organizoi debatin me temën “Funksionimi i Ndërmarrjeve Publike” të pranishëm në këtë debat ishin: Gazmend Bytyçi, KRM “Pastërtia”, Faton Frangu KRUK “Bifurkacioni”, Shabi Marevci “Stacioni i Autobusave” , Emin Misini, Udhëheqës i Njësisë së Shërbimeve Publike, Faruk Guri LDK, Flamur Istrefi, LVV, Kemajl Ramadani, AAK, Asllan Kryeziu, PDAK dhe mediat .

Debati është fokusuar në evidentimin e problemeve aktuale me të cilat përballen këto ndërmarrje , rizgjedhjen e Bordit si dhe obligimet të cilat i bartin për Raportimet në Kuvend Komunal .

Fillimisht, z. Gazmend Bytyçi prezantoi një koncept të problemeve aktuale me të cilat përballet kjo ndërmarrje, ai citoi se kjo ndërmarrje regjionale funksionon sipas ligjit 03L87. Sa i përket Planit të Biznesit ai tha se është Plan sekret i Kompanisë dhe nuk bëhet publik. Inkasimi i faturave është një ndër problemet kryesore me të cilat ballafaqohet kjo kompani. Për raportet e kësaj ndërmarrjeje ai tha se këto raporte dërgohen në Bordin e Drejtorëve dhe Komisionin e Aksionarëve. Kjo kompani gjithashtu bënë edhe hulumtime me konsumatorët në bazë të cilave edhe pastaj vepron. Kjo kompani nuk ka një webfaqe në të cilën do të informoheshin qytetarët për lajmet e fundit dhe punët që bënë kjo kompani.

Përderisa Kompania “Bifurkacioni” ka webfaqen e saj edhe pse nuk është funksionale që nga viti 2009 mirëpo kjo kompani ka një kuti të ankesave ku qytetarët mund të bëjnë ankesa dhe kjo kuti hapet vetëm nga Komisioni i Konsumatorëve. Faton Frangu, tha se raportet bëhen çdo muaj për Bordin e Drejtorëve. Ai citoi se kjo kompani ka vepruar me dy njësi operative , njëra në Ferizaj dhe tjetra në Kaçanik, por që nga viti 2008 kjo kompani vepron vetëm në Ferizaj sepse njësia në Kaçanik është ndarë njëanshëm dhe funksionon në mënyrë ilegale.

Stacioni i Autobusëve në Ferizaj akoma nuk ka kaluar ligjërisht në pronësi të Komunës , edhe pse konkursin për Bord të kësaj ndërmarrje e ka hapur komuna, theksoi z. Shabi Marevci, Referent Financiar. Hapësira e kësaj ndërmarrje është një ndër problemet kryesore sepse me 32 ari kjo ndërmarrje bënë 340 nisje ditore. Disa vija edhe pse të regjistruara nuk hyn në hapësirën e Stacionit të Autobusëve dhe vazhdojnë të mbajnë këto relacione edhe pse me ligj nëse nuk hyn tri herë në oborrin e Stacionit të Autobusëve merret leja e relacionit. Problem tjetër që përballet kjo ndërmarrje publike është edhe borxhi i trashëguar nga ish Kosova Trans prej mbi 1miljon euro .

z. Faruk Guri nga radhët e LDK-s , akuzoi ndërmarrjet se kanë borde partiake e jo profesionale dhe se Drejtori i Shërbimeve Publike nuk ka raportuar as edhe një herë gjatë këtij mandati dhe se nuk respektohet ligji për këto ndërmarrje.

Ndërsa z. Flamur Istrefi nga LVV, tha se ndërmarrjet publike janë kthyer në pronë private ku nuk ka transparencë se çka bëhet në këto ndërmarrje , janë shkelur ligjet neni 17 pika 2 po në të njëjtin nenë edhe pika 3, te neni 31 pika 3, dhe neni 34 pika 2 . Ndër të tjera ai ka theksuar se Plani i Biznesit nuk është sekret si pohon Drejtori Ekzekutiv nga ndërmarrja “Pastërtia” . Sipas z. Istrefi nuk kemi qasje në webfaqet e këtyre kompanive edhe pse “Bifurkacioni” ka webfaqen mirëpo që nga viti 2009 ajo nuk është funksionale.

Z. Kemajl Ramadani nga AAK , theksoi se nuk ka raporte financiare për opozitën dhe në këtë debat ai ka pritur nga drejtorët e kompanive problemet objektive dhe subjektive të këtyre ndërmarrjeve.

z. Asllan Kryeziu nga PDAK , tha se ndërmarrjet “Bifurkacioni” dhe “Pastërtia” janë shembull i mirë i integrimit të komuniteteve në punësim mirëpo janë të gjithë fuqi punëtore . Ai gjithashtu tha se ka pritur një analizë të përgjithshme të NP-ve që të kemi një efikasitet më të mirë dhe t’i tregojnë sfidat që t’u ndihmojë Kuvendi Komunal.

Dhe fare në fund Drejtori Ekzekutiv nga KRM “Pastërtia” , citoi se jemi të drejt në profesionalizëm të NP-s dhe njëheritë ritheksoi se Plani i Biznesit është Sekret Afarist për arsye se ekziston konkurrenca, dhe se Planin e Biznesit e diskutojnë vetëm stafi menaxhues dhe Bordi i Drejtorëve. Ai akuzoi qeverisjen e më mëhershme për mos zbatimin e ligjit të punës ku punëtorët punësoheshin pa konkurs dhe sipas tij ky ligj po gjen zbatim në këtë qeverisje.

Drejtori i Organizatës INPO , e përmbylli debatin me konkluzionin se ka mungesë të transparencës sa i përket opinionit publik te ndërmarrjet publike.