Ferizaj një ‘’komunë’’ Evropiane

28/12/2012

Ferizaj 28 Dhjetor 2012. Gjatë fushatës parazgjedhore Kryetari i komunës së Ferizajt duke shpalosur programin e tij politik, kërkoi votën e qytetarëve nën slloganin për Ferizajn Europian. Në bazë të këtij programi, kryetari premtoi një qeverisje efektive ku komuna e Ferizajt do të shërbente si model për Kosovën. Për më tepër kryetari kishte deklaruar se ka grumbulluar rreth vetës energji të reja që janë garancia më e mirë për punë efektive dhe se institucionet e Kosovës kanë nevojë që të freskohen me njerëz dhe ide të reja, ashtu sikur komuna e Ferizajt.

Pasi që komuna e Ferizajt tashmë është ‘stabilizuar’ pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, INPO sot në sheshin Adem Jashari ka organizuar një performancë publike ku fillimisht i ka uruar kryetarit Aliu rekordin e ri ‘’Gjashtë muaj qeverisje me drejtorë pa mandat’’ që i ka mundësuar vakumi ligjor. Mos-përmbushja e obligimeve ligjore lidhur me konfirmimin e mandatit të drejtorëve komunal janë treguesi më i mirë se z.Aliu po shkëputet nga sllogani parazgjedhor.

Përmes kësaj performance INPO i adresoj edhe një herë pushtetit lokal problemet me të cilat po përballet komuna e Ferizajt dhe përgjegjësitë që ata kanë ndaj qytetarëve. Lista e gjatë e problemeve fillon me mos-zhvillimin ekonomik lokal, keq-menaxhimin e ndërmarrjeve publike deri tek mos implementimi i planit urban dhe mungesa e hapsirave të gjelbërta në qytet. Të gjitha këto probleme nuk e bëjnë Ferizajn model për komunat e tjera të Kosovës dhe aq më pak një komunë Evropiane.

Duke vlerësuar progresin që është shënuar në fushën e transparencës dhe llogaridhënies gjatë qeverisjes së kryetarit Aliu në krahasim me vitet paraprake dhe duke konsideruar sfidat që e presin komunën e Ferizajt në rrugën e konsolidimit dhe zhvillimit ekonomik, INPO konstaton se kryetari Aliu duhet të funksionalizoj kabinetin e tij qeverisës dhe sa më parë të hartoj planin vjetor të qeverisjes komunale, si hapa të domosdoshëm për përmbushjen e objektivave evropiane dhe krijimit të një komune me identitet të zhvilluar, model për Kosovën.