Emërimi i z. Zymberi në postin e zëdhënësit të Kryetarit është konflikt interesi
18/06/2008Ferizaj, 18 Qershor 2008: Kryetari i Komunës së Ferizajt z. Bajrush Xhemaili më 17 Qershor, ka njoftuar përmes një konference për shtyp, emërimin e z. Besim Zymberi, zëvendës-kryesues i Kuvendit të Komunës në pozitën e Zëdhënësit të zyrës së kryetarit. Një veprim i tillë është në kundërshtim të plotë me nenin 37, alineja 3 e Ligjit për Vetëqeverisje Lokale i cili saktëson se: “Anëtari i Kuvendit të Komunës nuk mundet në të njëjtën kohë të jetë nëpunës i cilit do nivel, në administratën komunale, drejtor i shkollës apo i qendrës së mjekësisë familjare apo deputet në Kuvendin e Kosovës”. Pozita e zëdhënësit të zyrës së Kryetarit të Komunës, është një pozitë në administratën komunale.
Gjithashtu me këtë veprim, Kryetari i Komunës bie në kundërshtim me parimin e ndarjes së pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv, pasiqë z. Zymberi përfaqëson Kuvendin e Komunës, organin më të lartë vendimmarrës legjislativ dhe si i tillë nuk mundet që në të njëjtën kohë të shërbej edhe si zëdhënës i ekzekutivit, ky vendim paraqet konflikt të interesit.
Më tutje, mbajtja e dy posteve nga ana e z. Zymberi, si zëvendës-kryesues i Kuvendit Komunal dhe si zëdhënës i Kryetarit është e pa-pranueshme: kjo dëmton funksionimin efikas të njërit apo tjetrit post, që z. Zymberi mbanë dhe gjithashtu shkel dhe parimin që një zyrtar të ketë vetëm një post publik, parim dhe vendim ky i Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Kërkojmë nga z. Zymberi që sa më shpejt të zgjedhë ndërmjet njërit post, dhe të lejoj përfaqësimin dhe organizimin e mirëfilltë të legjislativit.