Drejtori i Urbanizmit shpifë ndaj INPO-s nga paniku i përballjes me ligjin

20/09/2017
Organizata INPO reagon fuqishëm ndaj deklaratave të pavërteta dhe qëllimkëqija të drejtorit të Drejtorisë së Urbanizimit z.Faik Grainca, në adresë të organizatës sonë. INPO fton kryetarin e komunës që në emër të institucionit të komunës të distancohet nga këto deklarata, përmes së cilave tentohet të njolloset dhe të denigrohet puna profesionale e INPO-s.

Nuk është hera e parë që Drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit, publikisht ka shpifur dhe ka fyer zyrtarët e organizatës INPO. Në vitin 2015, pas raportimeve të INPO-s, se janë bërë shkelje ligjore dhe është falsifikuar vendimi i Kuvendit Komunal për revidimin e zonave I dhe VIII-të të qytetit, z.Grainca, i pat quajtur “mercenarë” dhe “injorantë”, zyrtarët e organizatës INPO, pavarësisht se shkeljet ligjore janë konfirmuar edhe nga ministritë përkatëse.

Deklarata e djeshme e z.Grainca, se organizata INPO po shpërndan pamflete, janë të paqëndrueshme, ngase ne prej disa vjetësh monitorojmë punën e organeve komunale, pavarësisht emrave të drejtorëve.

Deklarimet kësisoj kanë për synim dëmtimin e reputacionit të INPO-s.

INPO, i bën thirrje të gjitha autoriteteve relevante të zbatojnë detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore për të mbajtur përgjegjës para ligjit të gjithë ata zyrtarë që me veprime apo mosveprime, i kanë kontribuuar procesit të mbrapshtë dhe të kontestuar të hartimit të politikave për zhvillim hapësinor në Ferizaj.

INPO njofton opinionin publik, se organizata INPO ka raportuar në vazhdimësi për të gjitha shkeljet ligjore, që janë bërë rreth procesit të hartimit të dokumenteve të planifikimit hapësinor, madje të gjitha gjetjet e INPO-s janë konfirmuar edhe nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe ministritë e tjera të linjës.

Rrjedhimisht, drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit në vend se të demonstroj integritet moral e profesional në informimin e opinionit publik për pengesat dhe arsyet reale të shtyrjes së seancës, ku ishte paraparë të votohej Plani Zhvillimor Komunal, ai shpifë dhe komenton veprimet e organeve të pavarura.

Përmbajtja e deklaratave të tij, lë të nënkuptohet, se z.Grainca nuk është i gatshëm të pranojë kritikën konstruktive, duke shfaqur mosdurim edhe ndaj medieve dhe institucioneve të tjera që synojnë mbrojtjen e ligjit dhe interesit qytetar.